Shkolla kryeqytetase e futbollit, 2 Korriku ka arritur një sukses të ri në futbollin e moshave të reja në Kosovë. Disa javë pas fitimit të titullit kampion në Regjionin e Prishtinës me moshat U-15, është arritur edhe fitimi i titullit kampion në nivel nacional për edicionin 2023/24, po nga ky grup i futbollistëve të klubit nga Arbëria.
Djelmoshat e trajnerit Ismail Berisha kaluan nëpër një rrugëtim interesant në “Play-Off”-in Nacional që nisi më 3 Qershor, duke arritur 4 fitore me 10 gola të shënuar dhe 3 të pësuar.
Kampanjën në garat nacionale, “verdheblutë” e nisën me fitoren ndaj Ballkanit (1-3), më pas e vazhduan me fitore dramatike ndaj TOP Football (2-4); fitore arritën edhe ndaj Malishevës (0-2), ndeshje pas së cilës fati deshi që ekipi “prishtinas” të kaloj në finale me short, aty ku sot e priti skuadrën e Pejës në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Ndeshja finale u vendos nga goli i sulmuesit Orges Paçarizit (50′), që u asistua për mrekulli nga Edi Gajtani. Takimi kryesor i garave nacionale u përcoll me shumë emocione, me lojë “burrërore” dhe futboll të bukur, e që në fund trofeu i takoi ekipit nga kryeqyteti i Kosovës.
Titulli kampion në nivel të Kosovës është i dyti radhazi për SHF 2 Korriku, pas atij të fituar në edicionin 2022/23.
Këto suksese pa dyshim se janë meritë e trajnerëve dhe futbollistëve, të cilët u përgëzuan nga drejtuesit e klubit të 2 Korrikut, që u shprehën të lumtur dhe krenarë me angazhimin dhe kontributin e dhënë nga moshat e reja të SHF 2 Korriku përgjatë edicionit 2023/24 dhe jo vetëm.