FC 2 Korriku dhe mbrojtësi Rron Statovci kanë arritur akordin për bashkëpunim në edicionin 2024/25.
Kampion me ekipin junior të 2 Korrikut në edicionin 2014/15, Statovci rikthehet në folenë “verdheblu” pas aventurës me ekipin e Vushtrrisë, ku kaloi dy edicione të plota.
“2 Korriku gjithmonë ka kuptimin e një shtëpie për mua. Më ka ndihmuar në rritjen time si futbollist dhe natyrisht se kjo ka vlerë të madhe për mua si njeri në radhë të parë. Rikthehem pas dy viteve, por kësaj radhe me motiv edhe më të lartë se më parë. Grupi i lojtarëve që kam gjetur është mjaft kualitativ, e sa i përket ambientimit, nuk kam se çka të them, pasiqë ambientimi në një klub si 2 Korriku është gjëja më e thjeshtë”, u shpreh Statovci në pronocimin e dhënë për 2korriku.com.
Statovci është 27-vjeçar, i lindur më 18.01.1997, dhe në të kaluarën është angazhuar në skuadra si KF Llapi në Kosovë e FK Partizani në Shqipëri, ndërsa ka qenë anëtar i të gjitha moshave të Përfaqësues së Kosovës, duke nisur nga ato U15 e deri tek ekipi U21 i “Dardanëve”.
“E kam për detyrë që skuadrës t’i ndihmojë me të gjitha kapacitetet e mia, në arritjen e qëllimeve që i kemi në këtë edicion, që do të jetë shumë i vështirë, por kjo ka për të na shërbyer si motiv shtesë për ta ndjekur rrugën e gjatë e shumë të mundimshme të kampionatit”, tha Rroni, që kryesisht angazhohet si mbrojtës i djathtë.
Statovci ka nisur punën me grupin tash e sa ditë dhe është në dispozicion të kryetrajnerit Besim Ademi. Kësisoj, Statovci bëhet ardhja e dytë në këtë afat kalimtar, pas transferit të mesfushorit Kozmaqi.