Përgatitjet e nisura më 8 Korrik 2024 po vazhdojnë tashmë me ritëm të shtuar tek skuadra seniore e 2 Korrikut. Me dy miqësore të zhvilluara deri më tani dhe me dhjetëra seanca stërvitore të mbajtura në ambientet perfekte për punë të stadiumit “2 Korriku”, “verdheblutë” veçse kanë nisur të kuptojnë se çka do të kërkojnë nga edicioni i ri i garave në grupin “B” të Raiffeisen Ligës së Parë.
Kësisoj, 2korriku.com ka zgjedhur kryetrajnerin Besim Ademi që ta intervistojë e të kuptojë më shumë rreth skuadrës, kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në xhiron e parë të kampionatit të ri.
“Punën e kemi nisur me kohë dhe po mundohemi që ta bëjmë më të mirën si çdo herë. Futbolli kërkon angazhim të përditshëm e punë të madhe në secilën stërvitje e në secilën ndeshje, pavarësisht karakterit të saj. Për fat të mirë grupi i lojtarëve e ka kuptuar me kohë këtë, dhe deri tani na ka impresionuar me nivelin e treguar, por gjithashtu edhe me vendosmërinë për të triumfuar në secilën sfidë që e kanë përballë”, u shpreh trajneri Ademi fillimisht.
Tutje, nga uebsajti zyrtar i 2 Korrikut, trajneri në fjalë u pyet edhe rreth skuadrës, pritshmërive që do t’i kenë në edicionin e ri, si dhe prurjeve e largimeve të deritanishme nga ekipi. “Na janë larguar disa futbollistë që kanë dhënë mjaft shumë për skuadrën dhe kanë qenë pjesë e rëndësishme e grupit, por futbolli është i tillë, kërkon përvoja të reja, dhe ne pa hezitim kemi pranuar që ta lirojmë secilin futbollist që ka shprehur dëshirën për të kërkuar diçka tjetër në karrierë. Nuk kemi qëndruar duarlidhur dhe kemi ndërhyrë menjëherë, kemi afruar dy futbollistë me shumë përvojë si Albinot Kozmaqi dhe Rron Statovci, por gjithashtu kemi në prova disa futbollistë, të cilët me shumë gjasa do të vazhdojnë me ne. Ekipi është mjaft cilësor, ka shumë për të dhënë dhe të gjithë me padurim po e presin kampionatin”, tha Ademi.
Edicioni 2024/25 do të jetë i shtati me radhë për ish-futbollistin Ademi në krye të skuadrës së 2 Korrikut, e këtë fakt ai e vlerëson, duke thënë: “Të gjitha këto vite janë përvojë e mirë e punës për mua. Deri tani kemi hasur në sfida të ndryshme, kemi pasur ditë e rezultate shumë të mira, por kemi pasur edhe ditë e rezultate jo fort të pëlqyeshme. Por, me futbollin jemi mësuar, pasiqë njësoj ka qenë edhe përvoja si futbollist, e kjo gjithnjë na bën më të fortë se që jemi. Besoj se punën e mirë të bërë deri më tani së bashku me stafin, do ta vazhdojmë dhe klubit do t’i japim sukseset që meriton, për të ia shpërblyer sadopak besimin e dhënë ndër vite.”
Krejt për fund, nga kryetrajneri kërkuam edhe një mesazh për simpatizuesit e klubit, e ai na tha: “Stadiumi ynë tash ka marrë pamje tjetër, shumë të bukur, dhe i ka dyert e hapura për të gjithë përkrahësit e klubit. Shpresojmë e urojmë që në sezonin e ri ata do të jenë të shumtë në numër, dhe do të na shtyejnë drejt rezultateve për të cilat po punojmë tash e sa kohë.”