Skuadra e Femrave

Historiku

Skuadra e femrave të Football Club 2 Korriku është themeluar në Korrik të vitit 2020, muaj ky që gjithmonë do të mbahet mend si muaji i realizimit të një ideje të kahmotshme të vet klubit nga kryeqyteti por edhe Sedat Limanit, i cili njëkohësisht, me t’u krijuar skuadra, kaloi në pozicionin e menaxherit të skuadrës.

Që nga nisja e rrugëtimit si skuadër e femrave, në krye të saj janë trajnerja Florentina Kallaba si dhe trajneri Liridon Abdullahu, që po ashtu janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj për zgjerimin e skuadrës dhe ngritjen e cilësisë së saj.

2 Korriku, si skuadër, në fillet e saj punën e nisi me vajza të reja, prej moshave nga 9 deri 13 vjeç, e ku për fat të mirë pati interesim të madh, gjë kjo që u përdor edhe si motiv shtesë që të mos ndalej puna e madhe me qëllim masovizimin dhe zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë, projekt ky i mbështetur nga instancat më të larta të futbollit botëror, europian e atij vendor.

Vajzat “verdheblu” tanimë punojnë me dy grupe, e krahas seancave stërvitore, vajzat zhvillojnë edhe ndeshje miqësore, mirëpo për sa i përket kampionatit dhe garave që organizohen nga Federata e Futbollit e Kosovës, ende nuk është arritur mosha e duhur e vajzave që të jenë pjesë e organizimeve të shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar.