Klubi i futbollit 2 Korriku është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm KF Proleteri.
Emri 2 Korriku, ka origjinën e tij nga vështirësitë dhe proceset politike që ndodhën në atë kohë, dhe rrodhi si nevojë për të bashkuar shqiptarët, në mënyrë që të amortizohen dhe tejkalohen sulmet e ndryshme politike që ndodhnin në Kosovë deri në vitin 1999 dhe më pas, kohë kjo e cila gati solli në shkatërrim dhe zvetnim të identitetit kombëtar shqiptar, dhe të Kosovës si territor.
Si sukses shumë i madh dhe ngjarje me rëndësi për klubin, konsiderohet themelimi i shkollës së futbollit në vitin 1992, e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të fëmijëve, të cilët pavarësisht kushteve të vështira, treguan talentin dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur. Ishin pikërisht këta fëmijë, të cilët u bënë baza e ekipit të parë të KF 2 Korriku, duke filluar kështu etapën e sukseseve për këtë klub.
Në kampionatin 1996/1997 2 Korriku ka qenë fitues i kupës së Kosovës në futboll.Pavarësisht sfidave dhe problemeve me të cilat u ballafaqua 2 Korriku edhe pas luftës së fundit në Kosovë, ai arriti të mbijetojë dhe të bëhet faktor përcaktues për cilësinë e futbollit në Kosovë.
KF 2 Korriku tash për tash luan në Ligën e parë, kurse grupmoshat e tjera marrin pjesë në të gjitha veprimtaritë të cilat organizohen nga Federata e Futbollit e Kosovës.