2 Korriku është eliminuar nga gara për Kupën e Kosovës, pas humbjes së pësuar në udhëtim tek Vjosa, ekipi lider i grupit ‘B’ në Ligën e Parë.
Dueli u zhvillua në ‘Sami Kelmendi’ e dhuroi shumë gola, me Vjosën që shënoi 4 sosh e me 2 Korrikun që e arriti vetëm golin e nderit dhe që në fund iu desh ta pranonte eliminim në 1/8tën e Kupës së Republikës së Kosovës.
Ndeshja e sotme për 2 Korrikun ishte e veçantë, sidomos për faktin se ekipit i munguan plot 10 futbollistë, të cilët për shkaqe lëndimesh e patën të pamundur paraqitjen me ekipin. Mirëpo, kjo nuk e arsyeton asessi ekipin në fushë, që të vetmen gjë pozitive e pati dhënien e rastit për të rinjtë nga ekipi i juniorëve, si: Aurel Limani, Arlind Maqedonci, Lis Zhubi dhe Nderim Abdullahu.
Përkundër të gjithave, ‘verdheblutë’ e nisën mirë takimin, madje afër ishin të kalonin në epërsi në minutën 8’, kur Limani depërtoi nga krahu i majtë e topi mbërriti tek Namoni debutues, që me goditje të fortë tentoi portën, por u ndalë nga portieri Miftari.
Mirëpo, nuk vonoi kundërpërgjigja e vendësve, që në harkun kohor prej gjashtë minutash realizuan dy herë; së pari me ish-in e 2 Korrikut, Drin Ymerin, dhe më pas me golin fenomenal të Ardian Selimit.
Golat e pësuar ia vështirësuan punët ekipit mysafir, që në pjesën e parë nuk arriti ta gjej veten, ndonëse rrezikoi disa herë me Sedollin, futbollistin tjetër debutues, por në vend ishte Miftari shtatgjatë.
Mos-konkretizimi i rasteve për pak sa nuk iu kushtoi sërish ‘verdhebluve’, me Vjosën si nikoqire që pati mundësi të shënoj sërish në fundin e pjesë-lojës së parë, por që ishte Namoni që ndërpreu kundër-sulmin e rrezikshëm në minutën 41’ dhe më pas ndalesë u bë super-pritja e portierit Ajeti në minutën 42’.
Pjesa e dytë nisi në mënyrë fantastike për 2 Korrikun, që gjeti golin me futbollistin debutues, Arlind Maqedoncin, pasi ky u asistua për mrekulli nga Aurel Limani në minutën 50’, pas një depërtimi fantastik në mbrojtjen vendëse.
Sidoqoftë, goli ndonëse ishte shtysë për ekipin e drejtuar nga Besim Ademi, nuk mjaftoi deri në fund, sepse Vjosa vazhdoi me sulme pareshtur, derisa arriti të shënoj edhe dy gola tjerë, një herë me goditjen mjeshtërore të Enis Stubllës, e më pas me Fidan Gashin që një për një me Ajetin e dërgoj topin në rrjetë.
Në këtë mënyrë, 2 Korriku në fund pranoi fatin dhe u eliminua nga kompeticioni i dytë për nga rëndësia në futbollin e Kosovës, dhe njëkohësisht urojë Vjosën për kualifikimin e merituar për në fazën tjetër.
Kupa e Kosovës; Raundi i Tretë (1/8)
KF Vjosa – FC 2 Korriku 4:1
Golashënues: Drin Ymeri 11’, Ardian Selimi 17’, Enis Stublla 70’, Fidan Gashi 87’; Arlind Maqedonci 50’
Gjyqtarët e ndeshjes: Genc Nuza (Prishtinë), Bujar Selimaj (Prizren), Hekuran Osmani (Gjilan), Gramos Shala (Pejë)
Delegati e ndeshjes: Xhevdet Dabiqaj nga Deçani
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Selim Isufi nga Mitrovica
Formacioni startues i Vjosës: Armend Miftari, Muhamed Llapashtica, Festim Haxhiu, Riad Murseli, Drin Ymeri, Akil Makolli, Qerim Tërshana /kap./, Ardian Selimi, Astrit Fazliu, Enis Stublla, Edon Koxha. Kryetrajner: Leotrim Krasniqi.
U inkuadruan edhe: Muhamed Dubova 60’, Leonard Gashi 79’, Rilind Gërbeshi 84’, Endrit Asllanaj 84’, Fidan Gashi 84’
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Milot Hyseni, Abit Salihu, Jehon Stublla, Nderim Abdullahu, Agron Beqiri, Andi Namoni, Shqiprim Kelmendi /kap./, Ideal Abdullahu, Aurel Limani, Ilir Sedolli. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Arlind Maqedonci 40’, Ylli Prekopuca 62’, Lis Zhubi 75, Fisnik Ahmeti 75’
Munguan në ndeshje për shkak lëndimi: Andi Oruqi, Edon Zeçiri, Granit Latifi, Redon Bejta, Enes Duraku, Ardit Gashi, Londrit Hamidi, Miftar Avdiu, Gustavo H. S. Faria