Klubi
Historiku i Klubit
Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.
Emri 2 Korriku ka origjinën e tij nga vështirësitë dhe proceset politike që ndodhën në atë kohë. Ky emër rrodhi si nevojë për të bashkuar shqiptarët, në mënyrë që të amortizohen dhe tejkalohen sulmet e ndryshme politike që ndodhën në Kosovë deri në vitin 1999 dhe më pas, kohë kjo e cila gati sa nuk e solli shkatërrimin dhe zvetnimin e identitetit kombëtar shqiptar, dhe të Kosovës si territor.
Si sukses shumë i madh dhe ngjarje me rëndësi për klubin, konsiderohet themelimi i shkollës së futbollit në vitin 1992, shkollë kjo e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të fëmijëve, të cilët pavarësisht kushteve të vështira, treguan talentin dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur për të ndjekur ëndrrën e tyre. Ishin pikërisht këta fëmijë, të cilët u bënë baza e ekipit të parë të Klubit të Futbollit “2 Korriku”, duke filluar kështu etapën e sukseseve për këtë klub.
Në edicionin 1996/1997, Klubi i Futbollit “2 Korriku” ka qenë fitues i Kupës së Kosovës në futboll. Pavarësisht sfidave dhe problemeve me të cilat u ballafaqua Klubi i Futbollit “2 Korriku” pas luftës së fundit në
Kosovë, klubi arriti të mbijetojë dhe të bëhet faktor përcaktues për cilësinë e futbollit në Kosovë.
Klubi i Futbollit “2 Korriku” tash për tash luan në Ligën e Parë të futbollit në Kosovë, kurse grupmoshat e tjera marrin pjesë në të gjitha veprimtaritë të cilat organizohen nga Federata e Futbollit e Kosovës.