Raiffeisen Liga e Parë sot ka ngritur siparin me ndeshjet e xhiros së parë të stinorit pranveror; sot 2 Korriku ka udhëtuar për në Pozheran, atje ku është ndeshur me ekipin e Vllaznisë dhe ka hapur ‘faqen’ e re në edicionin 2023/24.

Dy gola të shënuar në këtë ndeshje bën që skuadrat e pjesës së dytë të tabelës të ndalen në një barazim, me nga një pikë të fituar, e cila thënë të drejtën më shumë i konvenoi 2 Korrikut, që tani e forcon pozitën e gjashtë me 15 pikë të fituara, ndërsa Vllazninë e lë të fundit me 11 pikë.

2 Korriku sot më shumë pati mundësi të dalë si fitues se sa si humbës nga përballja me ‘pozheranasit’; kur themi këtë, kujtojmë dy rastet e Sedollit në pjesën e parë, të cilat ishin aq të pastërta, saqë as sulmuesi nuk arriti ta kuptoi se si nuk përfunduan në gola të shënuar – paraprakisht u asistua për mrekulli nga i riu Aurel Limani.

Në anën tjetër, Vllaznia që golin e epërsisë e gjeti herët me mesfushorin Omar Nuhu (5’), kishte iniciativë të lehtë kohë pas kohe, e herë pas here tentonte me aksione të zgjatura, por pa sukses, me ‘verdheblutë’ që përpos golit lehtë të pranuar, gjatë tërë ndeshjes ishin kompakt në mbrojtje.

Ekipi i Besim Ademit sot tregoi karakter e këmbëngulësi në lojë; golin e barazimit e gjeti me ‘predhën’ e Jehon Stubllës, gol i cili rrallë herë shihet në futbollin kosovar. Pas golit, sidomos në pjesën e dytë, ekipi kryeqytetas pati mundësi ta ndëshkojë kundërshtarin në disa kundër-zbritje, por pasimi final mungoi dhe kështu shkuan dëm afro 2-3 aksione të shpejta.

Përpos pikës së fituar, për ekipin nga Prishtina lajm pozitiv është edhe rikthimi i thuajse të gjithë futbollistëve të lënduar, të cilët pas një kohe morën minutat e parë me ekipin. Po ashtu, vlen të përmendet se sot debutuan në ndeshje kampionale me 2 Korrikun edhe futbollistët si: Andi Namoni, Aurel Limani, Ilir Sedolli, Gustavo H. S. Faria.

Xhiroja e radhës në Raiffeisen Liga e Parë 2 Korrikut ia servon përballjen me rivalin lokal, Prishtinën e Re. Kjo ndeshje me shumë gjasa do të zhvillohet ditën e shtunë, nga ora 13:00, e njëkohësisht do të jetë e para zyrtare për ‘verdheblutë’ si vendës në vitin kalendarik 2024.

Raiffeisen Liga e Parë, Java e Pesëmbëdhjetë

KF Vllaznia – FC 2 Korriku [1:1]

Golashënues: Omar Nuhu 5’; Jehon Stublla 23’

Gjyqtarët e ndeshjes: Ilaz Ajeti (Gjilan), Muharrem Hamiti (Podujevë), Albion Qelaj (Pejë), Granit Gashi (Prizren)

Delegati e ndeshjes: Kadri Cikaqi nga Suhareka

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Nexhmedin Mehana nga Vushtrria

Formacioni startues i Vllaznisë: Syar Halabaku, Erblir Avdiu, Alban Rexhepi, Taulant Ajeti, Ernis Topalli, Henry Austine Onoka, Omar Nuhu, Elbasan Jakupi /kap./, Zgjim Mustafa, Dabriel C. N. Meyanui, Erzen Hyseni. Kryetrajner: Nazmi Rama.

U inkuadruan edhe: Fisnik Saliu 56’, Omer Shemshiji 56’, Ardi Arifi 71’, Bleart Dragobuzhda 71’

Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Andi Namoni, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Gneilepkan Marius Camara, Shqiprim Kelmendi, Aurel Limani, Ilir Sedolli, Gustavo H. S. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Ardit Gashi 80’, Enes Duraku 80’, Ideal Abdullahu 84’, Londrit Hamidi 90’, Ylli Prekopuca 90’

Lini një Përgjigje