Ndonëse me ‘luftë’ të pakompromis të bërë për më shumë se nëntëdhjetë minuta, 2 Korriku nuk ia ka dalë që të marrë pikë nga ‘Ferki Aliu’, që priti mijëra shikues e dha atmosferë interesante.
Sikurse javën e kaluar, edhe kësaj radhe 2 Korrikut i mungoi vetëm goli; paraqitja dhe ‘lufta’ e djemve ‘verdheblu’ sot ishte më e madhe se kurrë më parë.
Takimi pati rrjedhë interesante; fillimisht rrezikoi 2 Korriku, kur topin e gjatë të Salihut në minutën 8’ e vazhdoi me kokë Gustavo tek Gashi shtatgjatë që goditi fuqishëm, por topi u devijua nga mbrojtësi vendës për në rivënie nga këndi.
Ndonëse Vushtrria si vendëse mbante topin më shumë, rastet vazhduan t’i takojnë 2 Korrikut, që në minutën 11’ pas depërtimit fantastik të Shqiprim Kelmendit, prej më të mirëve sot, që u pasua me një asistim perfekt tek Hamidi që goditi zhagas, por reflekset e portierit Tahiri të Vushtrrisë bën që ai tentim të ndalet, ndonëse me shumë mund.
Kelmendi i mysafirëve doli sërish në skenë, kësaj radhe me një goditje të fortë, e cila shkoi mbi portë.
Pas këtyre momenteve, ndeshja sikur u përcoll me qetësi nga të dyja ekipet për disa minuta, me rrezikun e radhës që u pa në minutën 35’, kur goditjen potente të Gentrit Ullurit nga goditja e lirë, e ndali pa vështirësi portieri Neziri.
Vetëm dy minuta më vonë, Avdyli i vendësve depërtoi në krahun e djathtë ku fillimisht u pengua nga Stublla – gjyqtari dha përparësi, dhe më pas futbollisti harkoi, topi gjeti Avdylin sulmues, por goditja e tij shkoi jashtë.
Në minutën 42’, tentim pati edhe nga Zabërgja i Vushtrrisë, që goditi, por sërish goditja ishte qëndrore e u prit nga Neziri.
Pak sekonda më pas, vendësit u treguan sërish të rrezikshëm, kësaj radhe me futbollistin e ri, Medin Gashi, që goditi me të majtën por afër portës – më herët u kërkua ndërhyrje e palejuar nga 2 Korriku.
Deri në fund të pjesës, saktësisht në minutat shtesë të fraksionit të parë, ‘verdheblutë’ u detyruan që të bëjnë zëvendësim, pas lëndimit të mbrojtësit të djathtë, Andi Namonit.
Krejt çka vlen të përmendet për pjesën e parë është edhe kërkesa për penallti në minutën e tretë shtesë nga Vushtrria, por që Dakaj, gjyqtari kryesor, vendosi që të mos e akordojë një të tillë, ndonëse brenda zonës pati dyshime, sidomos nga vendësit.
Pjesa e dytë ishte edhe më interesante se e para; rasti i parë iu takoi vendësve, madje ishte rasti më i mirë në ndeshje deri në ato momente – Medin Gashi me të majtën kërkoi golin, por topi shkoi shumë pranë pingules së majtë të portierit Neziri.
Në minutën 66’, 2 Korrikut gati sa nuk iu desh një zëvendësim tjetër i detyruar, kësaj radhe për shkak të përplasjes së futbollistit Beqiri në një duel, për çka u desh ndihma e stafeve mjekësore të të dyja ekipeve, të cilat me shpejtësi reaguan dhe ndihmuan futbollistin, i cili për fat të mirë nuk pati më probleme. Në këtë rast duhen falënderuar tifozët vushtrriasë që me duartrokitje e përcollën Beqirin, si dhe stafin mjekësor të Vushtrrisë që pa hezituar i dolën në ndihmë futbollistit.
Pas këtij rasti, radha ishte që të shihej diçka e çuditshme nga futbollisti vendës, Ardi Shala, i cili sikur ‘harroi’ se ndodhej në fushë futbolli e jo në ndonjë ambient tjetër sportiv si pishina, dhe tentoi me një kërcim ‘maestral’ që të fitoj penallti, por kjo gjë u cilësua nga Dakaj si simulim dhe karton i verdhë për Shalën.
Tutje, luhej minuta 72’, kur 2 Korriku pati mundësi që ta realizoj golin dhe t’i jap vetes qetësinë, por Gustavo që për mrekulli shfrytëzoi gabimin e mbrojtësit të djathtë vendës, pa veten përballë portierit Tahiri, goditi, por për fatin e keq të mysafirëve topi shkoi ngjitur me pingulen e majtë – zhgënjim i madh tek ekipi i 2 Korikut.
Kësisoj, koha kalonte por diçka nuk ndryshonte – tentimi i Vushtrrisë që të fitoj penallti. Ishte minuta 82’ kur vendësit sërish kërkuan njëmbëdhjetë metërsh, por edhe kësaj radhe nuk pati diçka konkrete për penallti dhe loja vazhdoi pa ndërprerje apo sinjalizim nga gjyqtarët.
Fati jo i mirë me lëndime 2 Korrikun e ‘preku’ edhe në minutën 86’. Pas një problemi me nyjen e këmbës së djathtë, Jehon Stublla u detyrua ta lëshojë fushën, e në vend të tij u fut Olt Pllana.
Momenti kryesor i ndeshjes erdhi në minutën 90’. 2 Korriku duke tentuar të dalë nga gjysmë-fusha e vet, sikur u pengua kur në futbollistin Sedolli pati një shtyerje, e nga ku përfituan vendësit, që me një depërtim në anën e majtë arritën që të pasojnë bukur në qendër, nga ku i pagabueshëm doli të jetë Arbnor Musa, që shënoi për 1:0 – gëzim i jashtëzakonshëm i tifozëve.
Pa kaluar as edhe një minutë nga shënimi i golit, ‘verdheblutë’ panë veten në një rast tjetër të mirë shënimi, thënë ndryshe të artë për ta barazuar rezultatin. Mbrojtësi Hyseni harkoi nga e majta, e Gustavo i vetëm, me kokë dështoi të shënoj nga afro pesë metra, me goditjen që i shkoi shumë pranë portës.
Me kaq takimi u mbyllë, mijëra tifozë ‘vushtrriasë’ mbetën të kënaqur, e të zhgënjyerit ishin mysafirët, që vërtetë merituan më shumë nga ky duel.
Tani 2 Korrikut i mbetet edhe takimi me Kikën për ta mbyllur fazën e dytë të garave, dhe më pas duhet pritur shorti përmes Sistemit të Bergerit, për të mësuar orarin e plotë për nëntë ndeshjet e fundit kampionale.
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Shtatëmbëdhjetë
KF Vushtrria – FC 2 Korriku 1:0
Golashënues: Arbnor Musa 90’
Gjyqtarët e ndeshjes: Egzon Dakaj (Pejë), Albin Ajvazi (Podujevë), Fisnik Rama (Mitrovicë), Dren Skeraj (Prizren)
Delegat i ndeshjes: Bashkim Uka (Prishtinë)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Musa Gashi (Pejë)
Formacioni startues i Vushtrrisë: Petrit Tahiri /kap./, Rron Statovci, Silvestre Shkalla, Gentrit Ulluri, Taulant Avdyli, Lis Behrami, Dior Zabërgja, Ardi Shala, Dren Ahmeti, Leuart Avdyli, Medin Gashi. Kryetrajner: Granit Begolli.
U inkuadruan edhe: Anis Kollari 75’, Arbnor Musa 87’, Edon Pasoma 90’+, Arlind Rashani 90’+
Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Andi Namoni, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Gneilpekan M. Camara, Shqiprim Kelmendi, Londrit Hamidi, Ardit Gashi, Gustavo H. M. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Milot Hyseni 46’, Aurel Limani 60’, Ideal Abdullahu 60’, Ilir Sedolli 78’, Olt Pllana 86’