,

Raporti i ndeshjes kampionale, FC 2 Korriku – KF Kika (4:2)

Më në fund, pas një kohe të gjatë, 2 Korriku e ka ‘thyer akullin’ në Raiffeisen Ligën e Parë të futbollit në Kosovë. Pas plot njëmbëdhjetë ndeshjesh pa fitore, ‘verdheblutë’ sot kanë triumfuar, në ‘folenë’ e vet me plot katër gola të realizuar e me rikthim rezultati.

Ardit Gashi, Gustavo H. S. Faria, Edon Zeçiri dhe Londrit Hamidi me golat e dhënë, kanë ndihmuar klubin kryeqytetas që të shënojë fitore në javën e tëtëmbëdhjetë – e fundit për fazën e dytë kampionale.

2 Korriku sot u fut me tërë ‘artilerinë’, e me motivin më të lartë se kurrë me parë; ‘mllefin’ e ndeshjeve të humbura pa meritë, djelmoshat ‘verdheblu’ sot e kthyen në forcë për të triumfuar në një ndeshje interesante me Kikën – rivalin ndaj të cilit ekipi kryeqytetas nuk dinte për fitore tash e sa kohë.

Ndeshja thënë të drejtën nisi shumë dobët nga të dyja ekipet, me futbollistët që tregonin shumë shpërqendrim në lojën e tyre dhe rrjedhimisht nuk arrinin që të organizonin diçka konkrete apo të bukur për sy.

Luhej minuta 11’ kur Kika doli përpara, në një tollovi në këndin e gjashtëmbëdhjetë metërshit, futbollisti Camara i vendësve rastësisht e preku topin me dorë, e gjyqtari Krasniqi sinjalizoi për njëmbëdhjetë metërsh – vendim i drejtë i tij. Nga pika e bardhë për mysafirët nuk dështoi Besfort Emini që goditi në të djathtën e portierit Neziri.

Pas golit të pësuar, vendësit u hodhën në sulm, por sërish jo me ide të qarta për lojë. Madje, ekipi i drejtuar nga Kryetrajneri Ademi ishte afër që të pësonte sërish, kur në minutën 30’ portieri Kastrati dërgoi një top të mirë me dorë tek Ramdani i cili ishte i vetëm në pjesëfushën e vendësve, por u pengua pas vrapimit dhe angazhimit të madh të mbrojtësit Milot Hyseni, i cili arriti që t’ia largojë topin për në këndore.

Pas disa çastesh, 2 Korriku pati mundësi ideale që t’i barazojë shifrat, por Gustavo i shërbyer për mrekulli nga Limani, dështoi që ta dërgoi topin prapa shpinës së portierit Kastrati, ani pse ishte i vetëm një për një me të.

Në minutën 33’, Milot Hyseni harkoi e topin e tij e largoi me kokë Rashiti i mysafirëve, por vetëm deri tek Andi Oruqi, që goditi nga afro gjashtëmbëdhjetë metra distancë, por dobët.

Vetëm disa sekonda më pas, Shqiprim Kelmendi për mrekulli e dërgoi topin tek Gustavo, që krosoi tek Limani e ky e ktheu sërish tek Kelmendi që gjuajti, por ishte qëndrore për portierin e Kikës.

Kërkimi me ngulm i golit ju shpërblye vendësve; daljen e gabuar të portierit Kastrati e shfrytëzoi shtagjati Gashi, që me kokë shënoi për 1:1 – ishte kjo minuta 39’. Me këtë gol, Ardit Gashi shkon në numrin e pesë golave të shënuar për 2 Korrikun.

Përpos barazimit, 2 Korriku pati mundësi që të shkoj në pushim me epërsi, por goditja e Limanit në shtesën e pjesës së parë u ndalë nga portieri mysafir.

Fraksioni i dytë i ndeshjes ishte shumë më interesant. Katër minuta pas vërshëllimës së gjyqtarit Krasniqi, i pari që rrezikoi ishte Camara i vendësve, me goditje të fortë mbi portë.

Në minutën 51’, portieri Ajeti (i inkuadruar pas lëndimit që Flamur Neziri pësoi në pjesën e parë) kapi me dorë topin e kthyer nga Edon Zeçiri, bashkëlojtari i tij. Krasniqi si gjyqtar kryesor sinjalizoi për goditje indirekte, ani pse portieri i vendësve me ngulm reagonte se topi më parë ishte prekur nga një prej futbollistëve mysafirë. Sidoqoftë, ‘hogoshtasit’ ishin afër shënimit të golit në këtë rast, por harkimit perfekt të një prej futbollistevë mysafirë nuk iu përgjigj si duhet Ramadani, që me kokë e dërgoi topin jashtë.

Pa kaluar shumë kohë, 2 Korriku e gjeti golin e avantazhit; Zeçiri asistoi Gustavon, që nga afërsia nuk gaboi dhe shënoi për 2:1 – gëzim i madh tek ‘verdheblutë’ e protesta të mëdha të mysafirëve, që pretendonin se goli ishte i parregullt me Gustavon që cilësohej si futbollist i inkuadruar nga pozita e parregullt.

Goli i shënuar sikur i dha ‘zemër’ vendësve, që luanin më lirshëm dhe pa presion, gjë e vërtetuar edhe nga fakti se në minutën 66’, i rikthyeri nga lëndimi, Edon Zeçiri shënoi për 3:1. Sërish festë e madhe në kampin vendës.

Pas golit të tretë 2 Korriku i dha më shumë hapësirë mysafirëve, duke tentuar që ta mbrojë rezultatin. Si rrjedhojë, mysafirët krijuan disa gjysmë-raste, kryesisht përmes goditjeve nga distanca e largët, të cilat pa problem u pritën nga Ajeti, që tregoi performancë të mirë dhe zëvendësoi në mënyrë ideale Nezirin.

Vlen të përmendet se Kika kërkoi penallti afër minutës 70’, por i të njëjtit mendim nuk ishte Krasniqi, gjyqtarit kryesor, që lejoi ndeshjen të vazhdoi.

Deri në fund të ndeshjes u shënuan edhe dy gola, fillimisht Hamidi shënoi gol të bukur në minutën 84′ për 2 Korrikun, kurse tetë minuta më pas, Besfort Emini i Kikës shënoi sërish, po nga penalltia, të cilën sërish e fitoi pas një prekjeje me dorë të njërit nga futbollistët vendës në zonën e rreptësisë.

Me këto pikë të fituara 2 Korriku e mbyllë fazën e dytë në pozitën e gjashtë me 18 pikë. Duhet përmendur se nga faza e tretë hyn si zakonisht Sistemi i Bergerit, në formë shorti, nga i cili 2 Korrikut në javën e nëntëmbëdhjetë i bie që të ndeshet me Ramiz Sadikun si mysafir në fundjavën e ardhshme.

Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Tetëmbëdhjetë

FC 2 Korriku – KF Kika 4:2

Golashënues: Ardit Gashi 39’, Gustavo H. S. Faria 53’, Edon Zeçiri 66’, Londrit Hamidi 84; Besfort Emini 12’ (pen.), 90’+ (pen.)

Gjyqtarët e ndeshjes: Kujtim Krasniqi (Prishtinë), Liridon Selmani (Prishtinë), Qendrim Sejdiu (Ferizaj), Debatik Qarkaxhiu (Gjakovë)

Delegat i ndeshjes: Granit Koci (Skënderaj)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Zekë Miranaj (Pejë)

Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Granit Latifi, Abit Salihu, Agron Beqiri, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Gneilpekan M. Camara, Shqiprim Kelmendi, Aurel Limani, Ardit Gashi, Gustavo H. S. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Arnis Ajeti 46’, Edon Zeçiri 46’, Londrit Hamidi 77’, Ideal Abdullahu 77’, Ilir Sedolli 85’

Formacioni startues i Kikës: Dorart Kastrati, Zeqirja Halili, Blerti Rashiti /kap./, Lorand Kastrati, Francisco Talison, Besfort Emini, Benet Spahiu, Francisco A. Da Silva, Gentian Binishi, Art Ramadani, Fatlum Leka. Kryetrajner: Mergim Kastrati.

U inkuadruan edhe: Blend Jakupi 33’, Endi Sopi 54’, Musli Imeri 54’, Erion Demolli 78’, Arlind Fejzullahi 78’

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave