Në kushte perfekte për lojë, futbollistët e dy rivalëve lokalë, Ramiz Sadikut e 2 Korrikut, bënë ‘luftë’ sportive për më shumë se nëntëdhjetë minuta, por në fund asnjëra palë nuk i arriti ato për të cilat luhet futbolli – golat dhe fitoren.
Me në krye një gjyqtar të ri e fantastik si ‘prishtinasi’ Granit Pacolli, ndeshja e sotme mund të ishte shumë më e mirë, por futbollistëve sikur iu mungoi ‘magjia’ e nuk treguan më të mirën e tyre.
Përkundër që paraqitjet e të dyja ekipeve ishin të zbehta, rastet për shënim nuk munguan në të dyja anët, me 2 Korrikun që në minutën 90’ mund ta fitonte ndeshjen, por pritja fantastike e portierit Isufi ndaj goditjes së fortë për toke të sulmuesit Gashi, bëri që ndeshja të mbyllet ashtu siç nisi – me porta të paprekura.
Vendësit e Ramiz Sadikut sot ishin pakëz më dominues, kryesisht me mbajtjen e topit, me mysafirët në anën tjetër që medoemos kërkonin që të mos pranonin gol dhe përmes kundërzbritjeve ta kërkonin golin, metodë kjo që vuri në vështirësi në disa raste vendësit, sidomos nga dy anësorët Gustavo e Limani, e më pas edhe nga dyshja tjetër, Hamidi e Duraku.
Minutat e parë të takimit qenë shumë të zbehët, me rastin e parë që erdhi tek pas 13 minutash lojë, kur vendësit ishin afër që të realizojnë, por reagimi i mirë i portierit Ajeti dhe spastrimi i zonës nga mbrojtësi Beqiri bën që porta të mos tundej.
Ramiz Sadiku rrezikoi sërish, kësaj radhe në minutën 20’, kur Maxhuni harkoi për mrekulli në drejtim të Perveticës, por nga koka e tij topin e largoi Granit Latifi, futbollisti që në dy ndeshjet e fundit është paraqitur për mrekulli si mbrojtës i krahut të djathtë tek 2 Korriku, duke lënë mbresa tek stafi teknik dhe të pranishmit në stadium.
Deri në fund të pjesës së parë një rrezik erdhi edhe nga ekipi mysafir; harkimin e bukur të Latifit në minutën 27’, ishte shumë afër që ta dërgoj në portë Gustavo, por goditja me kokë e tij përfundoi afër shtyllës së djathtë të Isufit.
Pjesa e dytë ishte diçka më interesante, kjo për faktin se të dyja ekipet ishin të interesuara që t’i fitojnë pikët e plota.
Edhe në pjesën e dytë, skuadra e parë që rrezikoi ishte Ramiz Sadiku; depërtimin e mirë nga ana e majtë në minutën 77’, dhe pasimin me thembër të Bikliqit nuk e konkretizuan në gol vendësit, sepse së pari u bllokuan nga ndërhyrja e jashtëzakonshme e Stubllës në pikën e penalltisë, dhe më pas goditja e dytë u ndalë në trupin e Beqirit, që sot tregoi karakter e luftë të madhe në vijën e fundit të 2 Korrikut.
12 minuta më pas, harkimi nga këndorja për pak sa nuk përfundoi prapa vijës fundore të portës, pasi Isufi doli gabimisht në tentim për ta grushtuar topin, e nga futbollistët mysafirë nuk ishte askush afër që ta shtyente topin për pak centimetra tutje.
2 minuta më pas, në anën tjetër, vendësit kërkuan penallti, por gjyqtari Pacolli nuk mendoi ashtu dhe la lojën të vazhdoj – vendim i drejtë i tij.
Rasti më i mirë i ndeshjes u rezervua për në fund, kur Gustavo depërtoi për mrekulli nga krahu i majtë, pasoi në qendër për Kelmendin që nuk e arriti topin, e po në atë rast ishte shtatgjati Gashi i 2 Korrikut që përfitoi, dhe e pa veten i vetëm përballë ‘gardianit’ Isufi, por goditja e tij përfundoi e pritur – me kaq u mbyllën rastet konkrete në ndeshje.
Ky barazim bën që asnjëra skuadër të mos ndryshojë pozitë në renditjen tabelare, të paktën deri nesër; pas kësaj xhiroje ekipet shkojnë në pushimin e kombëtareve për afro 2 javë.
FC 2 Korriku nuk ka mundësi që këtë raport ta mbyll pa theksuar se, paraqitje të tilla si e sotmja e gjyqtarit Granit Pacolli me asistentët Andi Krasniqi dhe Bunjamin Raqi, janë dëshmi se futbolli i Kosovës ka të ardhme edhe në pjesën e gjyqtarëve. Prandaj, paraqitjen e sotme të treshes së gjyqtarëve, klubi ‘verdheblu’ e vlerëson lartë dhe e përgëzon, me besimin e plotë se njësoj do të vazhdohet edhe në të ardhmen.
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Nëntëmbëdhjetë
KF Ramiz Sadiku – FC 2 Korriku 0:0
Gjyqtarët e ndeshjes: Granit Pacolli (Prishtinë), Andi Krasniqi (Prishtinë), Bunjamin Raqi (Prishtinë), Taulant Haxhimustafa (Rahovec)
Delegat i ndeshjes: Xhafer Jashari (Prishtinë)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Erduan Baliqi (Mitrovicë)
Formacioni startues i Ramiz Sadikut: Dimal Isufi, Bind Maxhuni, Adonis Zeqiri, Albin Dermaku /kap./, Adonis Pervetica, Taulant Kiçmari, Rigon Llugiqi, Dren Zeqiri, Eurent Krasniqi, Yll Tupalla, Erduan Ibrahimi. Kryetrajner: Alban Dragusha.
U inkuadruan edhe: Andi Bikliqi 50’, Rion Rushiti 50’, Altin Ibraimi 68’, Ardi Trshani 87’
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Granit Latifi, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Gneilpekan Marius Camara, Shqiprim Kelmendi /kap./, Edon Zeçiri, Aurel Limani, Ardit Gashi, Gustavo H. S. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi
U inkuadruan edhe: Olt Pllana 50’, Londrit Hamidi 70’, Enes Duraku 70’, Milot Hyseni 90’+