,

Me shtatë pikë të fituara nga nëntë të mundshme në tri ndeshje, 2 Korriku shkon i “karikuar” në derbin lokal kundër Flamurtarit

Me pesë gola të shënuar e dy të pësuar, ekipi i kryeqytetit, 2 Korriku ka arritur që të arkëtojë shtatë pikë në tri xhirotë e fundit të grupit “B” të Raiffeisen Ligës së Parë – dy fitore me Kikën e një barazim me “verdhezinjtë” e Ramiz Sadikut.

Ecuria e mirë e ekipit nga lagjja Arbëria e kryeqendrës ka ardhur pas një humbjeje të dhimbshme në Vushtrri (xhiroja 17, rezultati 1:0) me një gol të pësuar në minutën e fundit të kohës së rregullt – shto këtu edhe faktin se nisja e stinorit pranveror nuk ishte më e mira e mundshme, me një pikë të fituar në dy ndeshje.

Besimi në grupin e lojtarëve dhe mbështetja e pakursyer për ta, po i shpërblehet 2 Korrikut në këtë fazë të kampionatit, ku është arritur një qetësi dhe gjendje stabile në renditjen tabelare pas plot njëzet javësh të zhvilluara, e me shtatë tjera në horizont për t’u luajtur.

Efikasiteti në fazën e sulmit e mbrojtja stabile, sidomos në tri përballjet e fundit, i kanë dhënë ekipit të Besim Ademit pikët e kërkuara me ngulm, të cilat mungonin në ndeshje të cilat skuadra nuk meritonte të mposhtej, por që të njëjtat vendoseshin nga episode të shkurtëra e “tragjike” për ekipin “verdheblu”.

Tani, me sytë kah derbi lokal i së shtunës, 2 Korriku e sheh veten shumë më të qetë në lojën e tij, me më shumë besim dhe natyrshëm me shumë motiv për një përballje të “zjarrtë” kundër ekipit, kundërshtarit të kamotshëm të të njëjtit qytet – Flamurtarit.

Statistikat kundër “kuqezinjve” nuk janë më të mirat e mundshme në dy vitet e fundit (një fitore, një barazim e tri humbje), por numrat janë për t’u përmirësuar, andaj grupi i futbollistëve, që nga e marta, pas pushimit një-ditor më se të merituar pas një prej dueleve më të rëndësishme të edicionit, ka nisur me punë intensive, me qëllimin e njëjtë, arkëtimin e pikëve.

Në këtë moment, skuadra ka marrë vlerësime të larta edhe nga shtabi teknik në krye me trajnerin Besim Ademi, për faktin se janë kryer me sukses detyrat në fushën e lojës, e njëkohësisht nuk ka munguar angazhimi e nuk ka pasur shpërqendrim as për edhe një sekondë të vetme.

2 Korriku momentalisht gëzon pozitën e gjashtë në renditjen tabelare, me 22 pikë të tubuara, të arritura përmes pesë fitoreve e shtatë barazimeve, duke lënë mbrapa kundërshtarë si: Vushtrria, Flamurtari, Vllaznia e Kika.

Deri në fund të përfundimit të edicionit 2023/24, “verdheblutë” do t’i presin në shtëpi Flamurtarin, Vllazninë, Prishtinën e Re dhe Ulpianën, kurse do të udhëtojnë për tek skuadra si: Vushtrria, Ferizaj e Vjosa.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave