2 Korriku nuk arriti të marrë pikë as sot në Vushtrri, duke pësuar humbjen e dytë në të njëjtin stadium brenda një kohe jo fort të gjatë. Në fakt, as kësaj radhe “verdheblutë” nuk është se merituan disfatën, sidomos për atë që treguan në fraksionin e dytë të ndeshjes, mirëpo epërsia prej dy golash i shërbeu mjaftueshëm vendësve të Vushtrrisë, që në fund arkëtuan pikët e plota në kuadër të javës së 22-të.
Në fakt, dueli i sotëm dha një pasqyrë fillimisht monotone, e më pas u bë më interesante. Monotonë ishin sidomos minutat e parë të ndeshjes, kjo ndoshta edhe për shkak të ngjarjeve të fundit në grupin “B” të Raiffeisen Ligës së Parë të futbollit në Kosovë, gjë evidente sidomos tek pjesa e publikut, që për dallim nga vizita e fundit e 2 Korrikut në “Ferki Aliu”, numri i tyre sot ishte goxha më i vogël.
Sidoqoftë, rikthehemi tek raporti i ndeshjes, aty ku nuk mungoi rivaliteti e “lufta” sportive brenda vijave të fushës.
Siç u potencua edhe më lartë, fillimi i ndeshjes ishte diçka më i zbehtë, si për nga loja, ashtu edhe nga rastet, me vendësit që zotëronin topin më shumë, por pa ide të qarta.
Ndonëse ishin më dominues për nga zotërimi, vendësit u rrezikuan disa herë nga tentim-kundërzbritjet e mysafirëve, që me Hamidin e Gustavon në krah tentuan disa herë, por pa sukses, kjo nganjëherë për meritë të leximit të lojës nga vendësit, e nganjëherë edhe për shkak të vendimeve deri diku të çuditshme të gjyqtarit Zasella, i cili përpos ndërhyrjes në Hamidin nga Shkalla, që e sanksionoi me karton të verdhë në minutën 8’, në rastet tjera jepte përparësi jo fort të arsyeshme, e për më tepër nuk i sanksiononte futbollistët vendës që patën disa ndërhyrje të rrezikshme.
Vushtrria në anën tjetër, qëllimit të vet ia arriti për gjashtë minuta; fillimisht në minutën 31’ realizoi përmes sulmuesit kryesor të tyre, Drilon Fazliut, e më pas në minutën 37’ shënoi Dren Ahmeti, një nga golat më të bukur të këtij edicioni në Raiffeisen Ligën e Parë. Dy golat e vendësve sikur dhanë shpresë për futboll më të mirë në vazhdim, mirëpo kjo vlejti vetëm për 2 Korrikun, që mori veten dhe filloi të krijoj më shumë nga loja.
Kur themi se golat i bën mirë vetëm 2 Korrikut në aspektin e lojës, potencojmë se shënimi i dy golave në pjesën e parë sikur e kënaqi Vushtrrinë, e cila përpos që u kthye mbrapa, filloi edhe vonesat e pakuptimta të lojës, të cilat për më tepër toleroheshin nga gjyqtari i nivelit më të lartë të garave në futbollin vendor, Erdall Zasella. Kur jemi tek “zhagitjet”, nuk bën pa u përmendur se, nëse do të kishte çmim për më të dalluarin, atë pa dyshim se do ta fitonte portieri Petrit Tahiri, i cili bënte shaka me mbledhësit e topave, e një gjë të tillë vetëm e vështronte Zasella, që arsyen për ndëshkim të “gardianit” e gjeti vetëm në minutën 88’.
Gjithsesi, përkundër këtyre pjesëve/rasteve aspak të hijshme për futbollin, 2 Korriku tentoi me të gjitha forcat që të mos dalë i mposhtur nga Vushtrria, madje arriti golin e ngushtimit të epërsisë me Enes Durakun (70’), por që nuk mjaftoi, ani pse skuadra krijoi disa gjysmë-raste, por të cilave iu mungoi finalizimi.
Përpos zhagitjeve, Vushtrria pati mundësi që të shfrytëzonte hapësirat e mbrojtjes mysafire, mirëpo gatishmëria e portierit Ajeti dhe mungesa e vëmendjes së fazës sulmuese të këtij ekipi bëri që rezultati të mos ndryshojë e të mbyllet me fitore prej 2-1 për skuadrën vendëse.
Çka vlen të përmendet nga fundi i takimit është edhe ndërhyrja e Rashanit të vendësve me takat e ngritura lartë në Stubllën (90′) e mysafirëve, e cila normalisht, nga gjyqtari kryesor do duhej të sanksionohej me karton të kuq direkt, por sot diçka e tillë nuk ndodhi, ndoshta edhe për faktin se Zasella nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Fati i mirë nga ky rast është se Stublla i shpëtoi lëndimit dhe arriti ta përfundoi ndeshjen pa ndonjë problem.
Ndërsa për fund, medoemos dueht përmendur se ky takim, ashtu sikurse edhe takimet tjera deri në fund të këtij edicioni, për 2 Korrikun do të jenë të karakterit për prestigj dhe respektim të garës, pasi tashmë kampionati ka marrë kahje tjetër, për shkak të zhvillimeve të ditëve të fundit në këtë rang garash, të cilat klubi kryeqytetas i respekton dhe shpreson se do të ndikojnë për së mbari në futbollin vendor.
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Njëzetedytë
KF Vushtrria v. FC 2 Korriku 2-1
Golashënues: Drilon Fazliu 31′, Dren Ahmeti 37′; Enes Duraku 70′
Gjyqtarët e ndeshjes: Erdall Zasella (Mitrovicë), Fisnik Rama (Mitrovicë), Lirak Ibërdemaj (Pejë), Rita Vehapi (Prishtinë)
Delegat i ndeshjes: Enver Duriqi (Lipjan)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Musa Gashi (Prishtinë)
Formacioni startues i Vushtrrisë: Petrit Tahiri, Rron Statovci, Silvestre Shkalla, Gentrit Ulluri, Daut Maxhuni /kap./, Lis Behrami, Leuart Avdyli, Ardi Shala, Dren Ahmeti, Drilon Fazliu, Taulant Avdyli. Kryetrajner: Granit Begolli.
U inkuadruan edhe: Medin Gashi 56′, Dior Zabërgja 56′, Zeki Ademi 76′, Valon Dedia 76′, Arlind Rashani 87′
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Enes Duraku, Abit Salihu, Agron Beqiri /kap./, Jehon Stublla, Ideal Abdullahu, Edon Zeçiri, Olt Pllana, Londrit Hamidi, Miftar Avdiu, Gustavo H. S. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Ardit Gashi 46′, Gneilpekan M. Camara 46′, Andi Oruqi 62′, Milot Hyseni 62′, Redon Bejta 78′