2 Korriku e ka gjetur rrugën për tek fitorja e parë në edicionin 2024/25, madje në udhëtim të vështirë në Hogosht, ku me shumë meritë ka triumfuar përballë ekipit të Kikës.
Tre gola për tri pikë shumë të rëndësishme për ekipin e drejtuar nga Besim Ademi, që sot “shkriu akullin” pas katër ndeshjeve pa fitore në edicionin e ri futbollistik.
Ndeshja e sotme filloi me tridhjetë minuta vonesë, kjo për shkak se rrugës për në stadiumin në Hogosht ndodhi një aksident shumë i rëndë, i cili pamundësoi ardhjen me kohë të skuadrës mysafire, gjë që shtyu edhe zyrtarët e ndeshjes për marrjen e vendimit që ndeshja të filloj në ora 15:30 dhe jo në 15:00 siç ishte paraparë.
Triumfi në Hogosht sot u arrit jo me pak vështirësi, por me ndeshje të luftuar që nga sekondat e parë; në fakt ndeshja nuk nisi aspak mirë për ekipin kryeqytetas, që u dënua pa kaluar as dy minuta të plotë nga fillimi i lojës, kur Harbin Reçica shënoi për 1-0 pas një aksioni të mirë-ndërtuar nga vendësit.
Goli i pësuar herët ndikoi shumë në lojen e mysafirëve, që iu deshën disa minuta kohë për ta marrë veten, të paktën deri në minutën e gjashtëmbëdhjetë, kur Jehon Stublla krijoi hapësirë për goditje e realizoi me të majtën e tij nga afro tridhjetë metra distancë për barazimin 1-1.
Në fakt, goli i barazimit ju dha “krahë” mysafirëve, që pas vetëm shtatë minutave realizuan sërish, kësaj radhe me Ardit Gashin, që bukur u lirua nga qendërmbrojtësi mysafir e gjuajti me forcë për ta tundur rrjetën e portierit Dorart Kastrati sërish.
Pas golave, në pjesën e parë, pati edhe disa gjysmë-raste për të dyja skuadrat, ndërsa ndeshja kryesisht u zhvillua në mesin e fushës ku edhe shkaktoheshin ndërhyrje të shpeshta të palejuara.
Fraksioni i dytë ishte më i zbehtë për nga loja, me vendësit që tentuan të tregojnë këmbëngulësi në ndjekje të rezultatit por që nuk ja arritën, dhe me mysafirët që me qetësi kontrolluan lojën dhe mbajtën avantazhin.
2 Korriku ndeshjen e vulosi në minutën shtatëdhjetë e një, kur asistimin perfekt të Granit Latifit nga ana e djathtë në zonën e rreptësisë së vendësve, e ktheu në gol i riu Arlind Maqedonci, për të cilin ishte goli i dytë në ndeshje zyrtare me fanelën verdh’ e blu.
Deri në fundin e takimit pati disa tentime nga harkimet dhe gjuajtjet nga largësia të vendësve, por të gjitha u ndalën nga Arnis Ajeti, që sërish pati paraqitje pozitive.
Kështu, pas katër minutave shtesë të luajtura, gjyqtari Dylot Brahimi sinjalizoi për fundin e takimit – festë e madhe në kampin verdh’ e blu që fitoi tri pikët e para të plota.
Ndeshja e radhës për 2 Korrikun është ajo kundër Flamurtarit, e cila zhvillohet të mërkurën e 25 Shtatorit nga ora 15:00 në stadiumin “2 Korriku”.
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Pestë
KF Kika v. FC 2 Korriku 1-3
Golashënues: Harbin Reçica 2’; Jehon Stublla 16’, Ardit Gashi 23’, Arlind Maqedonci 71’
Gjyqtarët e ndeshjes: Dylot Brahimi (Mitrovicë), Bedri Beshiri (Fushë Kosovë), Ilir Peci (Mitrovicë), Përparim Jakupi (Gjilan)
Delegat i ndeshjes: Shemsedin Abazi (Kaçanik)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Zymer Berisha (Ferizaj)
Formacioni startues i Kikës: Dorart Kastrati, Vegim Ymeri, Fisnik Saliu, Olti Mehmeti, Benet Spahiu, Gentian Binishi, Zgjim Mustafa, Elbasan Jakupi (C), Uvejs Bunjaku, Kujtim Pira, Harbin Reçica. Kryetrajner: Sallah Sherifi.
U inkuadruan edhe: Jetart Kastrati 64’, Endi Sopi 68’, Art Ajeti 75’
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Andi Namoni, Agron Beqiri, Albin Stublla, Rron Statovci, Andi Oruqi (C), Albinot Kozmaqi, Gneilpekan Marius Camara, Jehon Stublla, Ardit Gashi, Pedro Henrique. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Nderim Abdullahu 46’, Granit Latifi 46’, Arlind Maqedonci 46’, Ylli Prekopuca 82’, Liz Zhubi 90+2’