AlbanianEnglish

,

Labinot Haziri, drejtori i ri i Shkollës së Futbollit “2 Korriku”

Football Club 2 Korriku ka nisur përgatitjet për edicionin e ri të garave, edicionin 2022/23, e pos përgatitjeve që janë duke u zhvilluar nga të gjithë trajnerët bashkë me futbollistët e moshave që udhëheqin, ndryshime ka edhe në strukturën e Shkollës së Futbollit “2 Korriku”, ndryshime këto që lidhen me pozitën e drejtorit të shkollës, pozitë kjo të cilën deri tani e ka mbajtur trajneri Besim Ademi, kurse nga sot e tutje, është vendosur që kjo pozitë të mbahet nga trajneri 30 vjeçar, Labinot Haziri.

Me vendimin e kryesisë së klubit “verdheblu”, trajneri Labinot tashmë do të marrë titullin e drejtorit të Shkollës së Futbollit “2 Korriku”, për të vazhduar punën e mrekullueshme të bërë deri tani nga trajneri Besim Ademi, ndaj të cilit, po kryesia, ka fjalë të mëdha falënderimi e mirënjohjeje për ngritjen e cilësisë së shkollës dhe intensitetit të punës.

Vendimi për trajnerin Haziri, pa dyshim se nuk mund të na kalonte pa marrë një koment të shpejtë nga trajneri i rritur si futbollist e trajner në klubin e 2 Korrikut. “Labi”, mes tjerash, për emërimin si drejtor i shkollës tha: “Diçka e jashtëzakonshme për mua. Jam krenar që emri im po vendoset krah shumë emrave të njohur që kanë udhëhequr Shkollën e Futbollit “2 Korriku”. Është mirë që njoh secilin prej trajnerëve që angazhohet në shkollë – kjo do të jetë përparësi, sepse e shoh si më të lehtë bashkëpunimin kur e di se sa punëtorë janë trajnerët që i kemi dhe se sa shumë kanë bërë për shkollën deri tani.”

Labinot Haziri, punën si drejtor, do ta nis që sot, ndërsa do të vazhdoj të jetë edhe kryetrajner i moshave nën 19 vjeç, grupmoshë të cilën e udhëheq tash e një vit e gjysmë.

Për t’u njohur më shumë me drejtorin e ri të shkollës, më poshtë e gjeni biografinë e shkurtër të tij.

Labinot Haziri, i lindur në Prishtinë, më datë 01 Janar 1992, mban tituj si: “Master i Eduktimit Fizik dhe Sportit”, “Master në Psikologji të Përgjithshme”, e po ashtu është i shkolluar në nivelin më të lartë të shkollimit për trajner, me ç’rast e ka marrë licencën “UEFA PRO”.

Labinotin e lidh e tërë jeta me sport, konkretisht me futboll. Pse themi kështu është fakti që Labinoti ka kaluar plot 15 vite si futbollist aktiv, tash e 11 vite angazhohet si trajner futbolli dhe që nga viti 2018 është mësimdhënës i Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit.

Karriera si futbollist – Si futbollist, karriera e tij niste në vitin 2000, teksa suksesin e parë e arrinte në edicionin 2006/07, kur si pioner (U15) fitonte titullin kampion në Regjionin e Prishtinës, e po në atë edicion, me të njëjtën grupmoshë, fitonte titullin kampion të Kosovës. Sukseset si futbollist nuk ndalen me kaq, pasi që Haziri arrin titullin kampion në nivel vendi edhe me moshat U19, në edicionin 2009/10. Për t’u përmendur është edhe fakti që Labinoti si futbollist, u angazhua për Kombëtaren e Kosovës me moshat U15, U17, U19, në përiudhën kohore prej vitit 2007 deri në vitin 2012.

Përvoja si trajner – Viti 2011, shënon vitin kur Labinot Haziri vendos që të vazhdoj karrierën edhe në zejen e trajnerit. Kësisoj, ai karrierën e nis si ndihmës trajner i moshave U9 dhe U11, ndërsa gjatë kësaj periudhe 11 vjeçare Haziri, në klubin e 2 Korrikut, ka udhëhequr moshat si: U13, U15, U17 dhe U19. 11 vite me shumë suksese kanë qenë për trajnerin Labinot Haziri, i cili në këtë periudhë ka arritur fitimin e titujve kampionë në nivel të Kosovës (katër tituj), tituj kampionë në nivel të Regjionit të Prishtinës (katër tituj), tituj kampioni në turne të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit (dhjetë tituj).

Përvoja si mësimdhënës – Krahas përvojave si futbollist e trajner futbolli, Haziri tash e katër vite angazhohet në “European School of Kosova” si mësimdhënës i Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit. Në këtë punë, Haziri angazhohet me nxënësit që iu takojnë klasave 1-9.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave