AlbanianEnglish

,

U17; Bregalnica – 2 Korriku 1:1

Të shtunën e 17 Dhjetorit, 2 Korriku ka udhëtuar për në Maqedoni të Veriut, vend ku ka zhvilluar një miqësore me ekipin e 17-vjeçarëve të klubit maqedonas, FC Bregalnica. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Bregalnicas dha lojë të bukur e pa dyshim se i la të kënaqur të pranishmit që kishin ardhur në përkrahje të të dyja ekipeve.

Organizim i mirëfilltë, kushte fantastike për lojë, moti deri diku i mirë- janë këto elementet që e karakterizuan duelin miqësor mes dy skuadrave që vijnë nga dy shtete fqinje. Pos këtyre, për t’u përgëzuar ishin organzimi dhe mikpritja e vendësve të klubit të Bregalnica, të cilët bën të mundur që një ndeshje e tillë të zhvillohet pa i munguar asgjë.

Për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij dueli miqësor u përkujdes edhe trajneri “verdheblu”, Pronaj, i cili ndeshjen e startoi me njëmbëdhjetshen më të mirë, çka edhe rezultoi me sukses fillimisht, pasi që ekipi nga Arbëria e kryeqytetit të Kosovës kaloi i pari në avantazh me golin e Lis Berishës, ose thënë ndryshe të përhershmit të ekipit kryeqytetas, i cili u asistua nga sulmuesi Shala.

Ani pse epërsia u arrit, nuk u arrit edhe që të mbrohej deri në fund, për shkak se pak minuta para fundit të pjesësë së parë, portieri Shala, njëkohësisht kapiteni i 2 Korrikut, u mposht nga vendësit dhe shifrat shkuan në 1:1, rezultat që nuk ndryshoi deri në fund, ani pse të dyja ekipet krijuan raste, rrezikuan e kërkuan fitoren, mirëpo në fund, epilogu më real doli të jetë barazimi.

Është për t’u përmendur se kryetrajneri i ekipit të 2 Korrikut, Mustafë Pronaj, në këtë takim iu dha mundësi të gjithë futbollistëve që të paraqiten, plot 21 prej tyre, të cilët treguan formë të kënaqshme, ani pse garat në futbollin tonë ka kohë që kanë mbaruar dhe deri tani ekipi ka zhvilluar vetëm seanca stërvitore dhe natyrisht se nuk ka qenë në kontinuitetin e ndeshjeve kampionale apo miqësore.

Kujtojmë që 2 Korriku është kampion vjeshtor në Superligën e Kadetëve në futbollin kosovar dhe mbrojtjen e titullit do ta vazhdoj që nga Marsi i 2023-tës.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave