Serisë fantastike prej plot tetëmbëdhjetë ndeshjeve të fituara me grupin “B” të moshave nën 15-vjeç, 2 Korriku i ka dhënë fund me fitimin e titullit kampion në Ligën “C” të garave në kuadër të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës.
Kryetrajneri Art Rrustemi me ekipin që udhëheq, ka arritur që të hyjë në histori me një sukses fantastik, i cili pa dyshim se i atribuohet angazhimit të madh të të gjithë futbollistëve “verdheblu”.
“Secila meritë në këtë edicion ju takon futbollistëve. Atyre iu është bërë realitet një ëndërrr e madhe – fitimi i epitetit kampion, dhe kjo do të thotë gjithçka për mua, sepse pavarësisht çdo suksesi, lumturia e tyre është në rend të parë për mua dhe filozofinë e klubit tonë. Natyrisht se ndihem shumë i lumtur që kemi arritur deri tek titulli kampion, mirëpo edhe më i lumtur jam për faktin se fëmijët janë zhvilluar dhe kanë mësuar gjëra të reja lidhur me futbollin, sportin që e duan shumë”, theksoi Rrustemi, në një prononcim të shkurtër për 2korriku.com.
Plot 116 gola të shënuar në vetëm 18 ndeshje, kanë bërë që ekipi i 2 Korrikut ta ketë sulmin më të mirë, e po ashtu me 10 gola të pësuar ka arritur që të fitojë edhe epitetin si skuadra me mbrojtjen më të mirë; këto suksese vijnë si një vlerë e shtuar e triumfit të madh – trofeut kampion.
Për Shkollën e Futbollit “2 Korriku”, ky trofe është i pari në këtë edicion, ose thënë ndryshe – nismëtari, për çka disa fjalë i pati edhe Drejtori Labinot Haziri: “I uroj djemtë dhe trajnerin për këtë sukses, që do të thotë shumë për ta por edhe për në si shkollë. I inkurajoj që të vazhdojnë me punë të mirë dhe të zhvillohen sa më shumë drejt qëllimit të tyre për t’u bërë sportistë profesionistë. Jemi shumë krenarë me të gjithë futbollistët e të gjitha grupeve tona!”