,

Raporti // FC 2 Korriku v. KF Prishtina e Re 0-4

Pa asnjë objektiv të mbetur në garat kampionale, me motivin thuajse zero, futbollistët e 2 Korrikut sot bënë një prej paraqitjeve më të dobëta të këtij sezoni dhe jo vetëm.

Rezultati 0-4 në të mirë të Prishtinës së Re, përveç që i dha mbylljen më të padëshiruar ndeshjeve si vendës këtë edicion, shënoi edhe humbjen më të thellë të xhirove të deritanishme.

Në kushte mjaft të mira për lojë, futbollistët e 2 Korrikut nuk arritën të iu bëjnë ballë kundërshtarëve të tyre lokalë, me takimin që drejtimin e mora që nga minutat e hershëm, kur gol shënoi Statovci (15’) me goditjen e fuqishme por edhe të devijuar nga mbrojtja vendëse.

Në fraksionin e parë, ndonëse jo shpeshherë, vendësit e panë veten duke rrezikuar portën e Bislimit, mirëpo tentimet e Gustavos (5’), Durakut (26’) dhe Zeçirit (43’) u ndalën nga portieri e topat e kthyer u spastruan nga mbrojtja, duke arritur që ta mbajnë portën e paprekur.

Në anën tjetër, mysafirët u treguan jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe vigjilentë, sidomos me topat e fituar në mesin e fushës, ku së paku dy prej tyre edhe u kthyen në gola, konkretisht rastet e Bajramit (36’) dhe Dobratiqit (45’+1’), momente këto në të cilat mbrojtja e “verdhebluve” ishte e shpërqendruar dhe për rrjedhojë u dënua, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me shifrat 0-3. Përpos golave të shënuar, ekipi mysafir u gjend përballë portierit Ajeti në situata 1 kundër 1 në dy raste me Bajramin (28’) dhe Statovcin (34’), por që fitimtarë doli “gardiani” vendës. Dy momente tjera për t’u përmendur ishin edhe shtylla e goditur nga Sadriu me kokë (29’) dhe pingulja e goditur nga mesfushori Vigan Ademi (41’)

Rezultati i lartë sikur ndikoi që pjesa e dytë të ishte shumë e qetë, e thënë të drejtën të përcillej me lojë shumë të papëlqyeshme nga shikuesit, saqë nganjëherë vëmendjen e merrte gjyqtari kryesor Nagavci, me disa vendime goxha interesante të tij, si ai i minutave të fundit, kur Hamidi i vendësve u pengua në zonë, por që sipas gjyqtarit pengimi i futbollistit vendës ishte simulim dhe për të njëjtin u ndëshkua me karton të verdhë.

Në këtë fraksion loje, mysafirët realizuan edhe një herë me Flamur Bajrami në minutën 60’ dhe më nuk rrezikuan konkretisht, kurse vendësit tentuan me shtatgjatin Gashi në dy raste dhe me Avdiun një herë, por goli i nderit nuk u arrit.

Statistikë interesante nga ndeshja e sotme ishte paraqitja e plot 7 ish-futbollistëve të 2 Korriku për ekipin e Prishtinës së Re.

Ky duel për 2 Korrikun ishte i fundit si vendës në edicionin 2023/24, ndërsa duhet përmendur se fundjavën tjetër do t’i shkojë në “shtëpi” Vjosës, për ta mbyllur edicionin garues me ndeshjen e javës së njëzetegjashtë.

Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Njëzetepestë

FC 2 Korriku v. KF Prishtina e Re 0-4

Golashënues: Urim Statovci 15’, Flamur Bajrami 36’ 60’, Lorik Dobratiqi 45’+1’

Gjyqtarët e ndeshjes: Flamur Nagavci (Gjakovë), Visar Kelmendi (Pejë), Hasan Lallo (Prizren), Rita Vehapi (Prishtinë)

Delegat i ndeshjes: Tahir Kabashi (Suharekë)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Musa Gashi (Prishtinë)

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Granit Latifi, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Gneilepkan Marius Camara, Edon Zeçiri, Enes Duraku, Ardit GAshi, Gustavo H. S. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Milot Hyseni 46’, Ideal Abdullahu 61’, Londrit Hamidi 61’, Shqiprim Kelmendi 72’, Miftar Avdiu 77’

Formacioni startues i Prishtinës së Re: Egzon Bislimi, Egzon Elshani, Fehmi Dragusha, Guri Hana, Labinot Jetullahu, Merdijan Sejdiu, Samir Sadriu, Flamur Bajrami, Vigan Ademi, Lorik Dobratiqi, Urim Statovci. Kryetrajner: Elon Berisha.

U inkuadruan edhe: Darnell J. M. Kithambo 46’, Salih Kosumi 46’, Valdet Demiri 67’, Agustin Daniel Rojas 67’, Olt Sveçla 77’

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave