FC 2 Korriku, në ndeshjen e fundit kampionale për këtë edicion të zhvilluar sot, ka arritur që t’i japë mundësinë për paraqitje futbollistit Rin Ahmeti, vetëm 15-vjeçar.
Futbollisti me tipare sulmuese, sot është aktivizuar në të gjithë pjesën e dytë të takimit kampional kundër KF Vjosa, të zhvilluar në Kaçanik, saktësisht në stadiumin “Besnik Begunca”.
Për të mos u mjaftuar me paraqitjen dhe minutat e marrë, Ahmeti u përkujdes që të shënohet edhe në listën e asistuesve të ndeshjes, duke harkuar për Gustavon që shënoi golin e dytë për skuadrën kryeqytetase.
“Nuk kam fjalë që ta përshkruaj një gjë të tillë. Unë nuk kam se çfarë të them përpos fjalëve falënderuese për stafin që më besoi në një moshë kaq të re. Gjithashtu, jam shumë krenar për faktin që kam arritur një paraqitje të tillë, e të cilën ma bënë shumë më të lehtë bashkëlojtarët e ekipit, të cilët me mbështetjen që ma dhanë ishin “krah” i djathtë për mua. Uroj që e ardhmja të na japë edhe më shumë momente të bukura, të cilat për mua do të mbeten pjesë e pashlyeshme e memories”, tha Ahmeti në prononcimin e menjëhershëm pas ndeshjes.
Të kënaqur me atë që tregoi Ahmeti, por më së shumti me faktin se iu dha mundësia për debutim në moshë kaq të hershme, stafi i trajnerëve në krye me Besim Ademin e vlerësuan lartë atë. “Rini, në ndeshjet me moshat U17 e U19, ka treguar potencialin e tij, e natyrshëm se ne nuk e kemi lënë një gjë të tillë pa e vërejtur, prandaj edhe kemi ardhur tek vendimi që Rinit t’i japim minuta me ekipin senior. Është djalë fantastik dhe si i tillë i meriton këto momente e emocione. Urojmë që e ardhmja ta gjejë edhe më të përgatitur, e duke shënuar gjëra të mëdha në futboll, sepse posedon shumë potencial, i cili më së miri do të shihet viteve në vazhdim”, theksoi kryetrajneri Ademi.
FC 2 Korriku është jashtëzakonisht krenar me Rinin, i cili sot shënoi ditën më të rëndësishme në karrierën prej futbollisti, prandaj të gjithë nga klubi e përgëzojnë atë për këtë arritje dhe i urojnë suksese të mëtejme në botën e futbollit dhe jo vetëm.