Delegacioni i FC 2 Korriku, i përbërë nga Anëtari i Kryesisë, z. Fikret Havolli, dhe Drejtori Sportiv, z. Drilon Baholli, janë kthyer me lajme të mira nga Zagrebi i Kroacisë, atje ku kanë qëndruar për vizitë afro një javë tek klubi më i madh i këtij shteti, GNK Dinamo Zagreb.
Marrëveshja e nënshkruar vite më parë në mes FC 2 Korriku dhe GNK Dinamo Zagreb ishte valide edhe për disa muaj, mirëpo pas takimeve dhe bisedimeve disa-ditore, përfaqësuesit e klubit nga Kosova dhe atij nga Kroacia kanë arritur vazhdimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, arritje kjo e ardhur edhe si rrjedhojë e sukseseve të shënuara ndër vite nga ky bashkëpunim.
2 Korriku me shkollën e futbollit ka vazhduar me arritje të njëpasnjëshme në futbollin vendor, e kjo natyrshëm se nuk ka kaluar pa u vlerësuar nga kroatët, të cilët mes tjerash kanë theksuar se puna profesionale e bërë në kampin kosovar, sidomos që nga koha e zyrtarizimit të bashkëpunimit për herë të parë, i kanë shtyrë në arritjen e marrëveshjes së re.
Kjo gjë u vlerësua lartë nga z. Havolli dhe z. Baholli, që potencuan mikpritjen fantastike të përfaqësuesve të GNK Dinamo Zagreb, z. Andelko Ivanjko, Drejtor Teknik, e z. Ivo Milic, Drejtor i Akademisë, dhe zhvillimin e bisedimeve në mënyrë jashtëzakonisht profesionale.
Gjitashtu, FC 2 Korriku dhe GNK Dinamo Zagreb, përpos zhvillimit të takimeve në këtë muaj, njësoj do të veprojnë edhe në muajin Qershor, kur zyrtarët kroatë pritet të vijnë për vizitë në tokën kosovare.