Ekipi i 2 Korrikut nuk e ka gjetur fitoren as në ndeshjen e dytë kampionale, të parën në shtëpi. Ndonëse gjithçka u nis për së mbari, e rrjedha e ndeshjes po shkonte shumë mirë, mjaftoi një gabim i debutuesit Stublla dhe një vendim jashtëzakonisht i çuditshëm i gjyqtarit kryesor Petrit Rama që ndeshja të marrë kah tjetër.
Verdh’ e blutë e kryeqytetit epërsinë e gjetën një minutë para përfundimit të kohës së rregullt në pjesën e parë, ndërsa barazimi erdhi në minutën 58’, kur Arbenit Krasniqi u tregua i saktë nga pika e bardhë në përballje me Arnis Ajetin e vendësve.
Sikurse në ndeshjen e parë, edhe sot, për ekipin e drejtuar nga Besim Ademi nuk mungoi angazhimi, sidomos në pjesën e parë kur u panë disa raste të mira shënimi, por edhe në pjesën e dytë, kur përkundër që u desh të zhvillohej takimi për afro tridhjetë e pesë minuta me një lojtar më pak, skuadra sërish krijoi disa gjysmë-raste, por që epilogu përfundimtar nuk doli të jetë më shumë se sa një barazim, 1-1.
Raporti minutë pas minute:
10’ – Albin Stublla pasoi tek Jehon Stublla, që me shpejtësi e pasoi tek Maqedonci, i cili depërtoi mjaft mirë dhe krjoi hapësirë për krosim, gjë të cilën e bëri, e topi arriti në kokën e Redon Bejtës, me këtë të fundit që e ktheu për mrekulli për Ardit Gashin që goditi fuqishëm në qendër, por u ndalë nga portieri Tërnava;
16’ – Aksion i mirë-ndërtuar nga Kozmaqi e Gashi, që krijuan hapësirë për Bejtën, i cili tentoi një harkim nga një pozitë jo fort e përshtatshme, me topin që për pak sa nuk e befasoi portierin mysafir;
25’ – Sërish në skenë Bejta, kësaj radhe me një depërtim nga krahu i djathtë, e nga ku pasoi bukur për Gashin i cili goditi me të djathtën, por topi nuk arriti cakun;
35’ – Aksioni i parë për Fushë Kosovën erdhi përmes krahut të djathtë, nga ku mbrojtësi mysafir harkoi për Wireko, futbollist që goditi me kokë por topi përfundoi mbi portë;
38’ – Sërish në mundësi shënimi Wireko, kësaj radhe i asistuar për mrekulli nga Sylejmani, por që nuk arriti në kohë ta shtyej topin në rrjetë;
44’ – Momenti i golit për vendësit erdhi; nga një pasiguri në mesfushën mysafire, përfitoi Gashi që pa veten një për një me portierin Tërnava, të cilin e mposhti me lehtësi dhe shënoi për 1-0. Gëzim i madh tek vendësit për golin e parë në këtë kampionat;
45’+2’ – Rast tjetër për 2 Korrikun. Bejta kaloi bukur nga e djathta dhe nga një pozitë shumë e vështirë tentoi golin, por u ndalë nga Tërnava;
58’ – Pjesa e dytë nisi si mos më keq për vendësit. Mbrojtësi debutues, Albin Stublla, në tentim për ta kthyer topin tek portieri Ajeti, gaboi dhe topi shkoi tek sulmuesi Wireko, i cili shfrytëzoi edhe daljen jo fort mirë të menduar të portierit, dhe nga kjo mundësi fitoi penallti, e për ta përkeqësuar edhe më shumë situatën, futbollisti Stublla u ndëshkua me karton të kuq, vendim ky jashtëzakonisht i çuditshëm i gjyqtarit Rama, i cili u pa si i bindur për vendimin e marrë nga ana e tij. Pas disa çasteve ku kundërshtoi kampi vendës për vendimin e gjyqtarit Rama, erdhi momenti për t’u goditur penalltia, e cila u konkretizua nga Krasniqi;
67’ – Pas kartonit të kuq, ndeshja u vështirësua për vendësit, të cilët përkundër se nuk ishin të barabartë në aspektin e futbollistëve në fushë me kundërshtarin, arritën që të krijojnë disa gjysmë-raste, ndërsa duhet përmendur ndërhyrja në Abdullahun shumë afër zonës së rreptësisë (me shumë gjasa ishte brenda zonës së gjashtëmbëdhjetë-metërshit), por e cila u kalua me lehtësi nga gjyqtari Rama, i cili vazhdoi me bindjen e tij e për me tepër as nuk tentonte që të jepte shpjegime për vendimet që i merrte në fushë;
86’ – Pas kartonit të kuq, ndonëse pritej që mysafirët të sulmonin më shumë, një gjë e tillë nuk ndodhi, të paktën deri në minutat e fundit, deri kur edhe ndeshjen u munduan ta vononin. Në minutën 86’, mysafirët tentuan me goditje me kokë, por nuk u befasua Ajeti që ndali me lehtësi goditjen;
88’ – Gjysmë-rast tjetër për Fushë Kosovën, kësaj radhe me Krasniqin, që gjuan fortë por mbi portë;
90’+3’ – Tentim goli pati edhe nga mbrojtësi mysafir, Pape Serigne Lo, që gjuajti nga një distancë e konsiderueshme, por u ndalë me qetësi nga Ajeti;
90’+6’ – Pas gjashtë minutave shtesë, gjyqtari kryesor sinjalizoi për përfundimin e ndeshjes. Gjithçka u mbyllë në barazim.
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Dytë
FC 2 Korriku v. KF Fushë Kosova 1-1
Golashënues: Ardit Gashi 44’; Arbenit Krasniqi 58’ (pen.)
Gjyqtarët e ndeshjes: Petrit Rama (Drenas), Visar Kelmendi (Pejë), Gentrit Restelica (Podujevë), Erdion Podvorica (Podujevë)
Delegat i ndeshjes: Xhafer Jashari (Prishtinë)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Musa Gashi (Prishtinë)
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Rron Statovci, Albin Stublla, Nderim Abdullahu, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Ideal Abdullahu, Albinot Kozmaqi, Redon Bejta, Ardit Gashi, Arlind Maqedonci. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Pedro Henrique 59’, Granit Latifi 59’, Gneilpekan M. Camara 59’, Milot Hyseni 83’, Dion Demolli 88’
Formacioni startues i Fushë Kosovës: Lorik Tërnava, Shpat Krasniqi, Nasuf Berisha /kap./, Pape Serigne Lo, Leon Ajdini, Arbenit Krasniqi, Berat Ahmeti, Ylber Murturi, King Wireko, Jahir Sylejmani, Rinor Shabani. Kryetrajner: Azem Ahmeti.
U inkuadruan edhe: Elton Sylejmani 62’, Almir Azemi 62’, Labinot Breznica 71’, Riad Kostanica 79, Shpresim Prestreshi 79’