AlbanianEnglish

,

Abit Salihu rikthehet në klubin amë, ku u rrit dhe u formua si futbollist

Mbrojtësi Abit Salihu, i lindur më datë 14 Nëntor 1999, është rikthyer në klubin ku ka marrë hapat e parë si futbollist e ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në futboll.

I ardhur si fëmijë i vogël, Abiti punoi jashtëzakonisht shumë e kaloi nëpër të gjitha grupmoshat e Shkollës së Futbollit “2 Korriku”, deri sa erdhi koha për t’u promovuar në ekipin senior, ku debutoi në moshën 17 vjeçare e që nga ajo ndeshje debutuese ndaj Vëllaznimit të Gjakovës vazhdoi me tregimin e vlerave të tij, kur për afro tri vite e gjysmë ishte pjesë e padiskutueshme e formacionit bazë të “verdhebluve”, deri në verën e kaluar, kur edhe kaloi te skuadra e Malishevës.

Tani shtatlarti është rikthyer për një aventurë të dytë, në vendin që për të mund të konsiderohet si shtëpi sidomos kur merret parasysh numri i viteve të kaluara në këtë klub.

Më poshtë i gjeni edhe përgjigjet e mbrojtësit Salihu pas rikthimit të tij në klubin nga kryeqyteti.

PËRSHTYPJET PAS RIKTHIMIT

S’është se kanë ndryshuar shumë gjëra; është po i njëjti staf teknik, po e njëjta kryesi dhe e di se nuk do ta kem problem fare riambientimin në këtë klub. Jam i kënaqur që më është dhënë sërish mundësia të jem këtu dhe nuk më mbetet kohë për të humbur, por duhet vetëm punë sepse çdo gjë tjetër më largon nga fokusi që kam.

ÇFARË PRET NGA EDICIONI 2022/23?

E mira është se kam gjetur një ekip shumë të mirë, të gërshetuar mes futbollistëve me përvojë dhe atyre të rinjë por me shumë potençial. Nuk duhet të japim fjalë të mëdha, por të angazhohemi shumë edhe në këtë muaj që ka mbetur para nisjes së kampionatit dhe pastaj ta marrim secilën ndeshje një nga një.

GJENDJA E EKIPIT

Lirisht mund të them se secilin futbollist e kam parë më të motivuar se tjetri për punë, e kjo është gjëja më pozitive. Krahas punës, fatmirësisht po gëzojmë formë të mirë fizike, askush nuk po ka shqetësime dhe shpresojmë se do të vazhdojmë kështu edhe më tej.

NDESHJET MIQËSORE

Ende nuk kemi zhvilluar asnjë ndeshje, por së shpejti do të kemi disa dhe aty do të tregojmë se ku jemi si skuadër. Normalisht se ndeshjet para-sezonale janë mundësi e mirë për t’u testuar sa më shumë futbollistë e për të punuar rreth skemave të mundshme që mund të aplikohen në kampionat, por ne si futbollistë duhet të kemi qasje serioze në seçilën prej ndeshjeve, sepse mos-serioziteti në raste të tilla, di të të ndëshkoj pastaj në ndeshjet zyrtare.

MESAZHI PAS RIKTHIMIT TE 2 KORRIKU

Nuk e kam zakon të jap premtime, mirëpo vetëm mund të siguroj se do të jap maksimumin në çdo çast dhe në çdo mundësi që stafi teknik do të ma jap. Bashkë do të punojmë për të arritur gjëra të mëdha.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave