AlbanianEnglish

,

Football Club 2 Korriku gjen akordin me mesfushorin Boiken Shala

Football Club 2 Korriku njofton se ka arritur marrëveshje me mesfushorin 19 vjeçar, Boiken Shala, i cili në edicionin 2022/23 do ta mbajë veshur fanellën “verdheblu”.

Punëtor i jashtëzakonshëm e shumë i qetë me topin në këmbë, janë këto tiparet që 19 vjeçarin Shala e bëjnë të dallohet e të njihet si një ndër futbollistët më premtues të futbollit vendor.

I rritur në Shkollën e Futbollit “Prishtina”, Shala ka përvojë edhe me skuadra tjera vendore si Besa e Flamurtari. Së pari, pas përvojës në kryeqytet, mesfushori kaloi te skuadra që asokohe bënte gara në Superligë, Besa nga Peja. Te skuadra pejane, Boikeni kaloi edicionin 2020/21, ku edhe arriti të fitoi përvojë në rangun më të lartë të garave në futbollin e Kosovës. Pas aventurës në Pejë, mesfushori i gjatë 191 centimetra, vendosi që të rikthehej sërish në kryeqytetin e vendit tonë, por kësaj radhe në skuadrën që bën gara në Ligën e Parë, atë të Flamurtarit. Edhe te Flamurtari, Boikeni mori minuta lojë e u dallua me paraqitjet e tij.

Tash, shtatlarti afrohet te skuadra e 2 Korrikut, e për këtë ai ka edhe disa fjalë:

PSE ZGJODHE 2 KORRIKUN?

Është klub që e njoh goxha mirë, kjo si shkak i ndeshjeve të shumta që i kam zhvilluar si kundërshtar i 2 Korrikut sa kam qenë futbollist te Prishtina por edhe te Flamurtari. Që prej asaj kohe, më ka rënë që për 2 Korrikun të mësoj mjaft shumë gjëra dhe pastaj ka qenë jo shumë e vështirë që ta bëj zgjedhjen se cilat ngjyra do t’i mbroj në edicionin për të cilin veçse jam duke u përgatitur.

PËRSHTYPJET E PARA PËR SKUADRËN

Më vjen mirë që shumicën e futbollistëve i njoh. Kam njohuri rreth cilësive të shumë prej futbollistëve, kështu që besoj se bashkë do të arrijmë shumë në garat që na presin.

SYNIMET DHE RIVALËT NË KAMPIONAT

Pikë së pari më vjen mirë që jam bërë pjesë e një klubi që ka një projekt ambicioz e me synime afatgjate dhe jo synime vetëm aty për aty. Kampionati është bukur i gjatë dhe kundërshtarët, ashtu si edhe ne, po forcohen, çka besoj se ka për ta rritur rivalitetin në ligë. Me atë se çka kam parë deri tash në skuadër, mund të them që do të jemi në gjendje që të luftojmë për pjesën e epërme të tabelës.

MESAZHI

E përmenda edhe një herë se më vjen mirë që kam ardhur te 2 Korriku. Mua vetëm më duhet që ta bëj me dije se, kurdo që do të ketë mundësi për mua, unë do të angazhohem maksimalisht brenda fushës. Kam shumë besim se kemi me qenë “arrë” e fortë për secilin kundërshtar, sepse vërtetë kemi ekip të mirë që me angazhim maksimal mund t’i arrij rezultatet e dëshiruara.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave