Vajzat e FC 2 Korriku pjesëmarrëse në ‘Girls Football Festival 2023’ në Kroaci

Ani pse nuk janë mbushur as edhe tri vite që nga themelimi i skuadrës së vajzave, FC 2 Korriku është gati që të bëj një hap historik me vashat “verdheblu” – të marrë pjesë në një festival futbolli me përmasa ndërkombëtare, pjesë e të cilit do të jenë pjesëmarrëse 50 skuadra nga 9 shtete kryesisht të Evropës.

Pjesëmarrja në festivalin që do të zhvillohet në Pula të Kroacisë për FC 2 Korriku po mundësohet nëpërmjet bashkëpunimit që është arritur nga menaxheri i skuadrës, Sedat Limani, me organizatat e njohura “UNDP” dhe “UNFPA”, të cilat në vazhdën e organizimeve për të masovizuar pjesëmarrjen e vajzave në sporte, e kanë parë si të rrugës mundësimin e shijimit të një eksperience fantastike për vajzat e klubit nga kryeqyteti.

FC 2 Korriku në festivalin në Kroaci do të marrë pjesë më dy grupmosha, me moshat U15 dhe U18. Vlen të përmendet se ekipet “verdheblu” nisen të shtunën për në Kroaci, me organizimin që nis të  hënën, kur edhe startohet me ndeshjet e para dhe vijohet sipas agjendës së përgatitur kohë më parë.

Duhet potencuar se kjo pjesëmarrje e vajzave “verdheblu” në një organizim të tillë është mirëpritur edhe nga “shtëpia” e futbollit në Kosovë, Federata e Futbollit, nga e cila edhe është siguruar mbështetje e pashoq për dy ekipet që do të marrin pjesë në festival si dhe është gjetur mirëkuptim që ndeshjet e FC 2 Korriku në Ligën U17 – Femrat të shtyhen për t’u zhvilluar në data tjera dhe jo në këtë fundjavë apo të ardhshmen.

Po ashtu, me rëndësi për t’u përmendur është edhe “JAKO Kosova”, që në festivalin e futbollit dhe jo vetëm, do të përkujdeset për uniformat e vajzave “verdheblu”, të cilat do të paraqiten me modele krejtësisht të reja.

Kjo ngjarje kaq e rëndësishme natyrshëm se do të zë vend në historinë e FC 2 Korriku, për çka edhe është shprehur edh Presidenti i Klubit, z. Rexhep Baholli. Baholli ka theksuar se për vajzat dhe klubin kjo do të jetë arritje e madhe si dhe ka uruar gjithë të mirat në këtë eksperiencë për të gjithë ekspeditën e klubit kryeqytetas.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave