Ditë më parë, pas një stinori të gjatë futbollistik, kanë përfunduar zyrtarisht garat në ligat elitare për moshat nën 19-vjeç dhe nën 17-vjeç në futbollin kosovar, të njohura ndryshe si Superliga U19, respektivisht U17.
2 Korriku, pas ecurive fantastike me ekipet e moshave, ka arritur që stinorin e vjeshtës ta mbyll si i pari në renditje me të dyja gjeneratat, sukses ky i arritur me mund dhe meritë; në njërën anë ekipi U17 me 38 pikë të fituara dhe në anën tjetër ekipi U19 me 41 pikë të fituara.
Skuadrat e drejtuara nga trajnerët Ardit Gashi dhe Labinot Haziri kaluan nëpër ecuri fantastike gjatë këtij sezoni, duke bërë që në fund të kurorëzohen me titujt e kampionëve vjeshtorë. E këto suksese, natyrshëm se u vlerësuan lart nga stafet tenike, që thurën lavde për futbollistët që i udhëheqin, për të cilët u shprehën të lumtur lidhur me zhvillimin që e kanë pasur dhe përvojën që e kanë fituar.
Detajisht, ekipi U17 i drejtuar nga Gashi, në 16 ndeshje të zhvilluara ka arritur dymbedhjetë fitore, dy barazime dhe dy herë është mposhtur; në këtë stinor, skuadra verdh’ e blu ka shënuar plot pesëdhjetëenjë gola, me një mesatare prej tre golash të shënuar për ndeshje, dhe ka pësuar dhjetë sosh.
Porta e skuadrës kryeqytetase ka mbetur e paprekur në nëntë ndeshje, me portierin Lenars Namani që në tetë ndeshje si startues nuk ka pranuar gol në gjashtë ndeshje, dhe me portierin Denis Gegaj që në tetë ndeshje si startues nuk ka pranuar gol në tre prej tyre. Ndërsa, në fazën e sulmit, më i dalluari ishte Buron Stanovci me njëmbëdhjetë gola të shënuar, për të ardhur pas tij futbollistë si Arnis Rama me tetë gola dhe Omer Shala me gjashtë sosh.
“Kemi kryer vetëm gjysmën e punës në kampionat, por vendi i parë në renditje natyrshëm se do të ndikojë për mirë, për faktin se ndihmon shumë në motivimin e skuadrës. Qëllim parësor është që futbollistët të fitojnë sa më shumë në zhvillimin e tyre, ndërsa rezultatet veçse janë vlerë dhe motiv shtesë për ta por edhe për stafin që të punojmë sa më shumë”, theksoi trajneri Ardit Gashi.
Ecuri fantastike, ndër më të mirat në vitet e fundit, ka pasur edhe ekipi kampion në fuqi i moshave U19. Në 16 ndeshje të zhvilluara, skuadra e 2 Korrikut ka arritur trembëdhjetë fitore, dy barazime dhe është mposhtur një herë.
Golashënuesi më i dalluar i skuadrës është Haris Isufi me dymbëdhjetë gola të shënuar, në mesin e tyre dy tre-golësha; pas tij, vjen Kron Thaçi me njëmbëdhjetë gola dhe Rin Ahmeti me gjashtë sosh. Në portë, për kryeqytetasit janë aktivizuar Alton Bugujevci e Elton Selmani, të dy me nga tetë paraqitje, me të dy portierët që kanë arritur ta mbajnë portën e paprekur nga dy herë.
Krahas garave në Kosovë, ekipi i 2 Korrikut i moshave U19 është angazhuar edhe në garat e kompeticionit prestigjioz evropian, UEFA Youth League – skuadra e parë nga Kosova që arrin në një garë të tillë.
Në edicionin debutues në garën më prestigjioze për futbollin e të rinjëve në Evropë, 2 Korriku ka arritur kalimin e dy raundeve në rrugën e njohur si “Domestic Champions Path”; në gjashtë ndeshje të zhvilluara, skuadra kosovare ka triumfuar në katër prej tyre e ka shënuar dhjetë gola, ndërsa është mposhtur dy herë e ka pranuar trembëdhjetë gola.
Në mesin e më të dalluarëve të skuadrës nga kryeqendra në garat ndërkombëtare, pa dyshim se ishte futbollisti 16-vjeçar Rin Ahmeti, që arriti t’i tund rrjetat e kundërshtarëve plot katër herë; gola shënuan edhe Omer Shala, Lis Berisha e Haris Isufi – të gjithë nga dy sosh.
“Ky stinor ka qenë i veçantë, si për nga përvojat e fituara por edhe nga sukseset. E kemi treguar veten në arenën ndërkombëtare dhe kemi vazhduar si kampion në fuqi në garat vendore, ku me sukses e arritëm titullin e kampionit vjeshtor. Jemi të kënaqur me ecurinë e deritanishme, por kjo nuk është e tëra. Duhet të vazhdojmë me punë dhe përkushtim deri në fund – na pret rrugë e gjatë dhe mjaft e mundimshme” – potencoi trajneri Haziri lidhur me ekipin që ai e udhëheq.
Tani, pas përfundimit të stinorit vjeshtor, skuadrat do të shkojnë në pushimin disa-ditorë të dimrit, për t’iu kthyer stërvitjeve në Janar e më pas ndeshjeve të karakterit zyrtar në fillim të muajit Mars.