2 Korriku ka kryer të gjitha përgatitjet për duelin kampional të radhës, në të cilin do t’i bëjë “konak” ekipit tjetër të kryeqytetit, Ramiz Sadikut.
Ekipi i drejtuar nga Besim Ademi nuk po kalon formën më të mirë në këtë pjesë të sezonit, prandaj edhe ka mbledhur të gjitha forcat që të dalë nga kjo situatë e vështirë me rezultate jo të kënaqshme.
Për këtë xhiro, 2korriku.com ka vendosur që në intervistë ta ketë futbollistin shtatgjatë, Ardit Gashin, i cili me plot besim u shprehë se ekipi ka forcë që ta kalojë këtë pjesë dhe të rikthehet tek rezultatet pozitive.
Edicioni i parë me 2 Korrikun si futbollist
“Është bërë si ‘shtëpi’ për mua. E vlerësoj çdo moment timin këtu dhe ndihëm shumë mirë gjithmonë. Kanë kaluar mjaft shumë muaj që prej se unë jam pjesë e këtij klubi dhe kam mësuar shumë, tani thjesht po e shpaguaj besimin që kam marrë që prej ditës së parë kur jam bashkuar me grupin.”
Pritshmëritë individuale dhe grupore nga ky edicion
“Si grup mund të bëjmë shumë mirë, vetëm se fillimisht na duhet të dalim nga vështirësia që po hasim me rezultate, për çka kam shumë besim tek secili shok i grupit. Më pas do të kemi mundësi që të konsolidohemi dhe të arrijmë qëllimet e fillim-sezonit. Ndërsa, individualisht pres që të shënojë sa më shumë, sepse domosdoshmërisht duhet që të kem sukses si individ për ta ndihmuar ekipin në secilën ndeshje.”
Kundërshtari i radhës
“Kundërshtari ka arritur fitore në ndeshjen e fundit, ndërsa ne jemi mposhtur, andaj kjo besoj se ka ndikuar pak tek motivimi, por jo aq shumë. E njohim mjaft mirë si ekip Ramiz Sadikun, dhe besojmë se mundemi dhe duhet ta fitojmë këtë ndeshje, sidomos kur e marrë parasysh mobilizimin tonë për t’i dhënë fund serisë negative.”
Mesazhi për tifozët
“Për kalimin e situatës në të cilën ndodhemi na duhet përkrahje, andaj unë shfrytëzoj rastin që t’i ftojë të gjithë mbështetësit e 2 Korrikut që të vijnë dhe ta përkrahin ekipin në këtë nëntëdhjetë minutësh të rëndësishëm.”