Edon Zeçiri i jep “frymë” 2 Korrikut; goli i minutave shtesë “vulosë” paraqitjen pozitive

Në mot të ftohtë, por në një fushë të përshtatshme për lojë si ajo e stadiumit “Sami Kelmendi”, 2 Korriku ka bërë një prej paraqitjeve më të mira të kohëve të fundit si mysafir në Ligën e Parë.

Raste, përkushtim e mbi të gjitha grinta e shfaqur që nga fillimi e deri në fund, bën që ekipi i drejtuar nga Besim Ademi të dalë i pamposhtur nga qyteti i Lipjanit, ku me shumë mund u arrit një barazim me golin e bukur të zëvendësuesit Edon Zeçiri, që tundi rrjetën e portierit, sot në formë fantastike, Dorant Ahmetaj.

Në fakt, ndeshjen më mirë e nisi Ulpiana, madje shumë pak çaste pas fillimit të takimit kërkoi penallti, por i të njëjtit mendim nuk ishte gjyqtari Maloku, i cili sot çuditërisht dha plot shtatë kartonë të verdhë për “verdheblutë”, ose thënë ndryshe “dënoi” lehtësisht secilën ndërhyrje nga këta të fundit.

Pjesa e parë pati ritëm të kënaqshëm, teksa rasti ideal i 2 Korrikut erdhi përmes Redon Bejtës, të cilit vrapimi fantastik prej afro gjashtëdhjetë metra i shkoi pa finalizim, kjo për faktin se goditjen e dobët të tij e ndali lehtësisht portieri vendës.

Deri në fundin e këtij fraksioni të lojës pati edhe një rast për 2 Korrikun; kësaj radhe goditi me kokë Ardit Gashi që u shërbye nga Hamidi, por sërish “kryefjala” doli të jetë Ahmetaj, qe më shumë mund dëboi topin.

Pjesëloja e dytë ishte diçka me e qetë, të paktën deri në minutën 63’, kur Bajrami i ekipit nikoqir “mashtroi” mbrojtësin Stublla dhe u pengua në zonë – nga kjo fitoi penallti, që në gol e shndërroi me goditje qëndrore të lehtë anësori Stublla.

Goli i pranuar “tha” diçka për ekipin mysafir – më nuk ka çfarë të humbet. Kjo “frazë” e fantazuar sikur iu hyri në kokë të gjithë futbollistëve me fanelat “verdheblu”, që u hodhën në tërësi në fazën e sulmit dhe me ngulm filluan ta kërkojnë golin. Por, ky hov për pak sa nuk iu kushtoi, sidomos në rastin e minutave të fundit kur u desh ndërhyrja kruciale e Abit Salihut në Cunhan e Ulpianës që të mos pësohet gol.

Sidoqoftë, mos-dorëzimi u shpërblye për ekipin nga kryeqyteti, që para se të hyj në kohën shtesë rrezikoi dy herë me Avdiun e inkuadruar, por goditjet e tij të njëpasnjëshme patën për ndalesë duartë e portierit vendës.

Mirëpo, përkundër formës fantastike, edhe portieri Ahmetaj u mposhtë, madje krejt në fund të ndeshjes, pak sekonda para se gjyqtari Maloku ta mbyllë ndeshjen. Edon Zeçiri shfrytëzoi minutat e besuara nga trajneri Ademi dhe pa menduar dy herë goditi nga brenda zonës e topin e dërgoi në fundin e rrjetës. Gëzim i jashtëzakonshëm te mysafirët që shkojnë tanimë në dy barazime radhazi.

Ky raport nuk mund dhe nuk duhet të mbyllet me kaq, jo të paktën pa falënderuar klubin e Ulpianës dhe punëtorët e tij, që me të gjitha forcat, madje duke qëndruar deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, kanë arritur që fushën e “Sami Kelmendit” ta pastrojnë e ta bëjnë jashtëzakonisht të përshtatshme për lojë, ndonëse kushtet atmosferike në vendin tonë kanë qenë mjaft të vështira.

Viva Fresh Liga e Parë; Java XIII

KF Ulpiana – FC 2 Korriku 1:1

Gjyqtarët e ndeshjes: Tefik Maloku (Podujevë), Muharrem Hamiti (Prishtinë), Valmir Beqa (Pejë)

Delegati e ndeshjes: Halil Sheremeti nga Mitrovica

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Ahmet Gashi nga Peja

Formacioni startuesi i Ulpianës: Dorant Ahmetaj, Lorik Rexhepi, Labinot Ibrahimi /kap./, Liron Tasholli, Gentian Emini, Lavdim Grainca, Albijon Shurdhiqi, Lucas Celio Cunha, Alket Bajrami, Enis Stublla, Endrit Ademi. Kryetrajner: Emin Bajrami.

U inkuadruan edhe: Harbin Reçica 46’, Korab Luma 76’, Festim Krasniqi 80’, Leon Selimi 90’

Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Enes Duraku, Abit Salihu, Jehon Stublla, Riad Jashari, Andi Oruqi /kap./, Gneilpekan Marius Camara, Shqiprim Kelmendi, Londrit Hamidi, Ardit Gashi, Redon Bejta. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Miftar Avdiu 74’. Agron Beqiri 74’, Valton Ibrahimi 74’, Edon Zeçiri 82’, Ylli Prekopuca 88’

Mungoi në ndeshje: Albert Stublla (i lënduar)

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave