Në mënyrën më të keqe të mundshme, 2 Korriku nga kryeqyteti e ka mbyllur stinorin vjeshtor në garat kampionale; humbje me diferencë prej dy golash, në një ndeshje që shumë lehtë mund të merrte kahje krejt tjetër në fundin e ndeshjes, po që se nuk do të ishte në formën e tij më të mirë “gardiani” Rinor Azemi i Vjosës.
Një gol shumë i hershëm dhe një shumë i vonshëm i dhanë “goditjen” ekipit nga Arbëria në ndeshjen e zhvilluar sot nga ora 13:00 në stadiumin “2 Korriku”. Astrit Fazliu me mjeshtëri dhe Albinot Kozmaqi me qetësi ishin shënuesit e këtij takimi, në të cilin 2 Korriku dështoi para portës në disa raste mjaft të mira shënimi.
Luhej vetëm minuta 5’ kur mysafirët kaluan në epërsi përmes Fazliut. Ky gol e paralajmëroi 2 Korrikun se sot do të kishte shumë punë në terren, dhe kësaj iu kundërpërgjigj mjaft mirë ekipi i drejtuar nga kryetrajneri Besim Ademi, që barazimin mund ta gjente në minutën 21’, por Kelmendi nuk e shfrytëzoi asistimin fantastik të sulmuesit shtatgjatë, Ardit Gashit.
2 Korriku në pjesën e parë nuk krijoi ndonjë rast për t’u veçuar, ndërsa për t’u përmendur si gjysmë-rast është goditja e Jehon Stubllës, që tentoi nga largësia, por nuk u befasua portieri mysafir. Në anën tjetër, Vjosa nuk krijoi diçka në këtë fraksion, por pati plot tri raste kur kërkoi penallti, të cilat për gjyqtarin Maloku nuk ishin të tilla.
Pjesa e dytë ishte pothuajse e njëjtë si ajo e para, veçse me raste më shumë. Fillimisht mysafirët kërkuan sërish penallti në minutën 47’ pas përplasjes Ajeti-Ymeri, por nuk pati asgjë për të sinjalizuar në drejtim të pikes së bardhë.
Tutje lojën nën kontroll e pati ekipi vendës. Goditja e dobët e Durakut (68’), dhe goditja me kokë e Gashit (72’) ishin sinjalizues se 2 Korriku po kërkonte me ngulm barazimin, por goli nuk erdhi.
Për ta përmbyllur humbjen e rasteve, 2 Korrikut iu desh që të vijë minuta 85’, kur nga tollovia e krijuar tek mysafirët, përfitoi Gashi që pa veten një për një me portier, me këtë të fundit që reagoi për mrekulli dhe ndali goditjen e fortë të sulmuesit “verdheblu”.
Në fund të kësaj pjeës-loje Vjosa u hodh në sulm; së pari Ymeri gaboi në dy raste në minutat 88’ dhe 89’, për t’i hapur rrugë golit të fitores të shënuar nga Kozmaqi, i inkuadruari në pjesën e dytë, në minutën 90+2’.
Pas pesë minutave shtesë ndeshja përfundoi, me 2 Korrikun që ngelet në 14 pikë, ndërsa me Vjosën që mori epitetin e kampiones vjeshtore në grupin “B” të Ligës së Parë.
Ekipi “verdheblu”, bashkë me ekipet tjera nga rangu i dytë i garave, do ta zhvillojnë edhe nga një ndeshje zyrtare në këtë vit kalendarik, atë për Kupën e Kosovës, shorti për të cilën do të hedhet nesër në ora 11:00 në ambientet e FFK-së.

Viva Fresh Liga e Parë; Java XIV
FC 2 Korriku – KF Vjosa 0:2
Golashënuesit: Astrit Fazliu 5’, Albinot Kozmaqi 90+2’
Gjyqtarët e ndeshjes: Tefik Maloku (Podujevë), Bajram Kabashi (Prizren), Qendrim Sejdiu (Ferizaj)
Delegati e ndeshjes: Naim Krasniqi nga Peja
Vëzhguesi i i gjyqtarëve; Zekë Miranaj nga Istogu
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Jehon Stublla, Abit Salihu, Agron Beqiri, Gneilpekan M. Camara, Andi Oruqi /kap./, Edon Zeçiri, Shqiprim Kelmendi, Enes Duraku, Ardit Gashi, Redon Bejta. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Londrit Hamidi 46’, Miftar Avdiu 46’, Milot Hyseni 73’, Ylli Prekopuca 90+2’
Mungoi në ndeshje: Albert Stublla (i lënduar), Flamur Neziri (akumulim kartonësh), Riad Jashari (akumulim kartonësh)
Formacioni startues i Vjosës: Rinor Azemi, Bashkim Selimi, Festim Haxhiu, Riad Murseli, Drin Ymeri, Akil Makolli, Qerim Tershana /kap./, Endrit Asllanaj, Ardian Selimi, Muhamed Llapashtica, Astrit Fazliu. Kryetrajner: Leotrim Krasniqi.
U inkuadruan edhe: Endrit Bytyqi 60’, Albinot Kozmaqi 63’, Altin Axhimusa 90+2’






