5 ndeshje në fazën e tretë të garave, 5 humbje – këto janë shifrat që 2 Korrikun po e përcjellin në “hapin” e fundit të edicionit 2022/23 në rangun e dytë të garave në futbollin e Kosovës.
Ramiz Sadiku sot doli të jetë ekipi i pestë me radhë që skuadrën “verdheblu” e mposhti e ia thelloi krizën, duke e lënë tanimë në pozitën e nëntë me pikë të njëjta me Arbërinë, kundërshtaren e radhës, e me një pikë më pak se sa Vllaznia e vendit të tetë me të cilën u ndesh një javë më parë.
Derbi 2 Korriku – Ramiz Sadiku sot vërtetë e meritoi epitetin e tillë, jo për ndeshje cilësore, por të paktën për luftën e karakterin e treguar nga djemtë e të dyja ekipeve, që sot iu dhanë mjaftueshëm të gjithë të pranishmëve, shumica nga të cilët ishin përfaqësues të klubeve nga Liga e Parë e Superliga.

Goli i Marin Rekës (86’), i ka mjaftuar “verdhezinjëve” të Ramiz Sadikut për t’u “rehatuar” në renditjen tabelare, të cilët tanimë shkojnë në plot tetë pikë nga vendi që dërgon në një rang më poshtë të garave.
Matjes së forcave ndërmjet 2 Korrikut e Ramiz Sadikut sot i ndihmoi shumë treshja e gjyqtarëve, të cilët si rrallë herë, sot treguan se futbolli i Kosovës vërtetë ka gjyqtarë të denjë, profesionistë e të paanshëm.
Rrezart Hasanaj, Blend Preniqi e Uranit Berisha sot ishin për notën dhjetë, duke lejuar lojë të fortë, burrërore nga e cila natyrisht se u nxorr maksimumi i futbollistëve, të cilëve nuk iu plotësoheshin kërkesat për t’u ndalur loja në momente të panevojshme, e kjo normalisht se bënte që ritmi i ndeshjes të mos ulet.

Në fakt, skuadrat kryeqytetase shumë lehtë kanë mundur që sot të shënojnë më shumë gola e madje madje të ketë edhe goleadë, por shtylla pingule në dy raste, një herë për Ramiz Sadikun e një herë për 2 Korrikun, si dhe siguria e portierëve e mos-konkretizimi i rasteve nga sulmuesit bënë që ndeshja në fund të përcaktohet nga një gol i vetëm i zëvendësuesit Reka, i cili pas vetëm një minuti inkuadrim në fushën e lojës, realizoi golin e madh për skuadrën e tij.
Ndonëse pësoi humbje, ajo që vlen të përmendet nga ndeshja e sotme është se, ekipi i Besim Ademit tregoi fytyrën e vërtetë, sulmoi pa rreshtur, goditi shtyllën me Bejtën e humbi rast të pastër për shënim me sulmuesin Camara nga më pak se dhjetë metra, por futbolli edhe sot tregoi se di të jetë i padrejtë me raste, por kësaj i kontribuoi edhe ndeshja e mirë e futbollistëve të trajnerit Dervisholli, që lehtë mund edhe ta dënonin skuadrën vendëse në fundin e ndeshjes, pas golit të tyre të shënuar nga një kundërzbritje e shpejtë, por edhe para tij, sidomos në fraksionin e parë të ndeshjes kur Krasniqi mjeshtërisht goditi shtyllën, e topi më pas shkoi jashtë.
Sidoqoftë, 2 Korriku me këtë humbje ia vështirëson punët vetes dhe tashmë luftën do ta bartë në Lipjan, atje ku përballë do ta ketë skuadrën që e ka mposhtur dy herë këtë edicion, Arbërinë.

2 Korriku – Ramiz Sadiku [0:1] (0:0 pas pjesës së parë)
Golashënues: Marin Reka (85’)
Gjyqtarët: Rrezart Hasanaj, Blend Preniqi, Uranit Berisha
Delegat i ndeshjes: Kemajl Dumnica
Vëzhgues i gjyqtarëve: Fadil Gashi
Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, A. Salihu, A. Salihu, A. Beqiri, R. Jashari, A. Oruqi /kap./, B. Qorri, Y. Prekopuca (I. Lebbie 6’ – F. Bajrami 65), R. Bejta (G. M. Camara 65’), M. Avdiu, E. Gashijan (G. Latifi 69’). Kryetrajner: Besim Ademi.
Formacioni startues i Ramiz Sadikut: D. Isufi, R. Raqi, T. Haliti, A. Dermaku, B. Maxhuni, T. Kiqmari, S. Gashi (V. Ademi 56’), Sh. Prestreshi (D. Zeqiri 72’), A. Zeqiri, E. Krasniqi (O. Sijarina 84’), E. Ibrahimi (M. Reka 84’). Kryetrajner: Granit Dervisholli.






