Ekipi kryeqytetas, 2 Korriku nesër nis garat e stinorit pranveror në Raiffeisen Liga e Parë e Futbollit në Kosovë. Të besuarit e trajnerit Besim Ademi marrin rrugën për në Pozheran, atje ku do të ndeshen me ekipin e Vllaznisë në kuadër të xhiros së pesëmbëdhjetë.

Para kësaj ndeshjeje shumë me rëndësi, nga kampi i ‘verdhebluve’ u prononcua mbrojtësi me shumë përvojë, Agron Beqiri, që tha: ‘Kemi bërë një fazë përgatitore shumë të mirë dhe ndihemi shumë të gatshëm për ri-fillimin e garave. Ekipi ka punuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo do të na ndihmoi shumë.’

‘Është gjë e mirë për ekipin që janë afruar disa futbollistë, të cilët natyrshëm se janë forcë shtesë në një fazë ku kampionati nuk do të jetë aspak i lehtë. Të gjithë futbollistëve iu urojë suksese në këtë rrugëtim të ri për ta, dhe shpresojë e besojë se bashkë do t’i arrijmë rezultatet që i kemi për qëllim’, theksoi tutje Beqiri, i pyetur lidhur me futbollistët e afruar së fundmi.

Qendërmbrojtësi që mbron fanelën e FC 2 Korriku, vazhdoi tutje, me disa fjalë për kundërshtaren e radhës, njëkohësisht të parën në Raiffeisen Liga e Parë për vitin kalendarik 2024. ‘E nisim këtë rrugëtim me një duel si mysafirë, në një fushë shumë të vështirë, por kjo veçse na motivon, sepse për ndeshje të tilla luajmë futboll. Shkojmë për të dhënë gjithçka dhe për të dalë kokëlartë me pikë të fituara’, tha Beqiri.

Përmendim se 2 Korriku e Vllaznia ndeshen në Pozheran, të dielën nga ora 13:00. Gjyqtar kryesor do të jetë Ilaz Ajeti, i njëjti që kishte gjykuar edhe duelin e vjeshtës në mes të këtyre dy skuadrave, të cilin e fitonte 2 Korriku me rezultat të pastër 2:0, me golat e Edon Zeçirit nga penalltia dhe Enes Durakut.

Lini një Përgjigje