,

‘Kemi paraqitje shumë të mira deri tash – shpejt do t’i rikthehemi rezultateve pozitive’, Shqiprim Kelmendi e pret me shumë optimizëm ndeshjen kampionale kundër Kikës

Ndonëse me vetëm një pikë të fituar deri tani në stinorin pranveror të Raiffeisen Ligës së Parë në futboll, futbollistët e FC 2 Korriku po vazhdojnë punën me optimizëm, duke shpresuar se ardhja e rezultateve pozitive është vetëm çështje kohe – një gjë të tillë e konfirmoi edhe intervista e realizuar me futbollistin me përvojë, Shqiprim Kelmendin.

‘Ajo që kemi dhënë në tri ndeshjet e para po na bën që të besojmë se krejt çka na ka munguar ka qenë fati, dhe jo diçka tjetër. Kemi krijuar raste, kemi treguar intensitet të lartë të lojës e i kemi vënë në vështirësi të gjitha ekipet me të cilat jemi ndeshur, por ende nuk e kemi arritur fitoren e parë – kjo besoj se do të vijë të shtunën, sepse nuk ka më mirë se fitoren ta arrish në shtëpi’, u shpreh fillimisht Kelmendi.

I pyetur se a kanë ndikuar tek ekipi dy humbjet e fundit, Kelmendi tha: ‘Ka ndikuar paksa vetëm fakti që, sidomos në ndeshjen e fundit, kemi krijuar shumë e jemi mposhtur nga një gjysmë-rast. Për pjesën tjetër, ekipi qëndron shumë mirë. Jemi afër njëri-tjetrit dhe nuk jemi dorëzuar, ani pse nuk na kanë shkuar ashtu siç kemi dashur këto tri ndeshje të para. Kampionati ka shumë kohë deri të përfundoj, prandaj as ne nuk e ngarkojmë veten me presion, sepse i besojmë punës që e bëjmë çdo ditë.’

Kelmendi që më parë ka luajtur pikërisht për Kikën e që po me këtë skuadër i kishte shënuar gol 2 Korrikut, theksoi se pret shumë nga ndeshja e së shtunës. ‘Të shtunën besoj se do ta thyejmë ‘akullin’. Të jesh aq pafat sa ishim ne në ndeshjet e para, ndodh rrallë në futboll. Gjithsesi, futbolli do’ pjekuri dhe ne duhet ta tregojmë pikërisht këtë gjë në këto momente, duhet ta dëshmojmë se dimë të ngrihemi edhe në momente jo fort të mira të ekipit sa i përket rezultateve. Ndeshja e radhës duhet të jetë më e mira e sezonit për ne, duke treguar angazhim e ‘luftë’ sportive, me besimin se pikët do të mbesin tek ne’, e përfundoi me këto fjalë Kelmendi, një prej më të mirë në duelin e javës së kaluar në Vushtrri.

Kujtojmë se 2 Korriku e Kika ndeshen nga ora 13:00, në stadiumin ‘2 Korriku’. Po ashtu, FC 2 Korriku shfrytëzon rastin që t’i ftojë të gjithë qytetarët e Prishtinës që ta përkrahin klubin në këtë ndeshje, që të jenë shtysë për djemtë ‘verdheblu’ në rikthimin më se të nevojshëm tek rezultatet.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave