,

‘E kemi për obligim kërkimin e vazhdimësisë së rezultateve pozitive’ – Olt Pllana flet për uebsajtin e 2 Korrikut para ndeshjes me Ramiz Sadikun

2 Korriku pas një kohe të gjatë është rikthyer tek fitorja, shumë e vlefshme, e arritur përballë ‘hogoshtasve’ të Kikës në stadiumin ‘2 Korriku’ në fundjavën që shkoi. Kjo fitore e ky tre-pikësh ekipit i shërbeu shumë, sidomos në lidhje me fazën e tretë të kampionatit, saktësisht me Sistemin e Bergerit që do të implementohet si zakonisht në fazën e tretë që nis nesër, me ‘verdheblutë’ që do të jenë mysafir të ekipit të Ramiz Sadikut.

Lidhur me garën e deritanishme dhe të ardhmen e kampionatit, nga kampi i 2 Korrikut u prononcua mesfushori Olt Pllana, i afruar në afatin kalimtar dimëror të këtij edicioni tek ekipi nga lagjja Arbëria e kryeqytetit të Kosovës.

‘Përveç ndihmës që të pozicionohemi në vendin e gjashtë të renditjes, tre pikët nga java e kaluar na dhanë energji shtesë për ta vijuar kampionatin. E dinim se herët apo vonë fitorja do të na ‘trokiste’ në derë, dhe thënë të drejtën ndeshja kundër Kikës ishte ‘treni’ i fundit që një gjë e tillë të ndodhte. Ekipi tani është edhe më i qetë, dhe ka shpresë së njësoj siç e mbylli fazën e dytë do ta nisë edhe të tretën’, tha Olt Pllana fillimisht.

Pllana, i huazuar nga FC Prishtina, vlerësoi dhe tha se ekipi nuk ka pikë aq sa ka merituar në katër ndeshjet e para të pranverës. ‘E kemi një fitore, një barazim dhe dy humbje, por ky nuk është aspak bilanc real. Ekipi ka treguar shumë më tepër dhe natyrisht se ka merituar diçka më shumë. Sidoqoftë, bilancet janë për t’u përmirësuar dhe për një gjë të tillë po punojmë e do të angazhohemi edhe më tej’, tha tutje Pllana, futbollisti që debutimin e arriti në ndeshjen kundër KF Prishtina e Re në javën e gjashtëmbëdhjetë.

‘Me sa kam parë, ekipi ka pasur bilanc pozitiv me Ramiz Sadikun në vjeshtë të këtij kampionati, duke arritur një fitore e një barazim, por kjo gjë e di se nuk ka ndikim në ndeshjen e nesërme. Ramiz Sadiku ka arritur rezultate interesante në këtë fazë të kampionatit dhe medoemos kjo gjë nënkupton se ka ekip të mirë që mund të rrezikoj në secilin rast. Sa na përket neve, fatmirësisht kemi pasur një javë të plotë për t’i kryer përgatitjet e nevojshme para këtij takimi. Fitorja e javës së kaluar na ka dhënë ‘zemër’ dhe domosdoshmërisht tani e tutje neve na duhet që në kokë ta kemi si obligim kërkimin e vazhdimësisë së rezultateve pozitive. Nga përvoja jo shumë e madhe që kam në futbollin e seniorëve, di se ndeshjet me rivalë lokalë nuk janë asnjëherë të lehta, prandaj me fokusim të plotë dhe me besim në grupin që kemi, do ta kalojmë me lehtësi këtë sfidë të së shtunës.’ Me këto fjalë, futbollisti 19-vjeçar, Olt Pllana e mbylli intervistën e tij për 2korriku.com.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave