Tjetër edicion i suksesshëm për moshat e reja të Shkollës së Futbollit “2 Korriku” në garat që organizohen nga Lidhja Rajonale e Futbollit të Prishtinës. Moshat U15 me dy tituj kampioni e moshat U13 me dy vende të dyta, kanë shënuar sukseset e radhës për ekipet “verdheblu”, që sfidat do t’i vazhdojnë edhe për disa ndeshje, por tanimë për ato të garave nacionale që me shumë gjasa datën e fillimit do ta kenë fillimit e Qershorit.

16 fitore, 3 barazime e 3 humbje ishin shifrat e skuadrës “U15A” të 2 Korrikut që dje ngritën trofeun, i cili u dorëzua nga i pari i LRFP-së, z. Ismajl Ajeti. Të besuarit e Ardit Gashit tek suksesi arritën me plot 67 gola të shënuar, duke fituar 51 pikë e duke rrëmbyer pozitën e parë. “Merita është e gjitha e djemëve që kanë punuar shumë në këtë edicion. Ky sukses na gëzon, por na e bën me dije se ‘luftën’ duhet ta vazhdojmë për t’u kurorëzuar edhe si kampion në nivel nacional të Kosovës”, potencoi trajneri Gashi, menjëherë pas ndeshjes së fundit që skuadra e tij e zhvilloi si vendëse.
Po kaq të suksesshëm ishin edhe grupi “U15B”, të cilët garuan në grupin “D” të LRFP-së. Ky grup, i udhëhequr nga trajneri Qendrim Berisha, po ashtu u shpallë kampion, duke lënë prapa vetes Pro Prishtinën e duke siguruar trofeun por edhe ngritjen për një grup më lartë, për në grupin “C”. “Për mua ky është edicioni debutues si trajner në shkollën e 2 Korrikut dhe ky sukses ka shumë domethënie. Premtojë se do ta vazhdojmë punën e mirë edhe në sezonet vijuese”, foli mes tjerash trajneri Berisha.
Pa trofe, por me shifra mbresëlënëse e mbyllën edhe “U13A” e “U13B” të drejtuar nga Ismail Berisha e Art Rrustemi. Të dy këto skuadra edicionin e përfunduan në pozitën e dytë, por duke qenë vetëm 3, respektivisht 6 pikë prapa kryesuesve.
Me pozitën e dytë në renditje, “U13A” të Ismail Berishës arritën kualifikim për në garat nacionale, kurse në anën tjetër Art Rrustemi me “U13B” arriti promovimin për në grupin “C” të LRFP-së. Berisha tha se është i lumtur me angazhimin që ka parë nga ana e futbollistëve të tij, kurse Rrustemi theksoi se ndihet mirë që ka pasur mundësinë që të angazhoi një numër të madh të futbollistëve në ndeshje kampionale.
Për të gjitha këto suksese, fjalë pati edhe nga drejtori i SHF 2 Korriku, Labinot Haziri. Haziri, i lumtur me punën e trajnerëve e futbollistëve të të gjitha grupmoshave, theksoi se: “Lirshëm mund të them se jam shumë krenar me punën që është bërë në këtë edicion nga të gjithë trajnerët. Është shumë mirë që deri tani kemi arritur 2 trofe, e do të jemi në luftë dhe për 4 tjerë. Pavarësisht trofeve, me rëndësi të madhe janë edhe paraqitjet jashtëzakonisht premteuese që kam parë nga futbollistët e shkollës sonë. Kjo bën që të jem edhe më i kënaqur, sepse për neve si klub e shkollë futbolli është garanci se e ardhmja është në duar të sigurta dhe se zhvillimi i fëmijëve po shkon sipas planeve afatgjate që kemi filluar t’i aplikojmë tash e sa kohë.”
Kujtojmë se 2 Korriku është në garë që të shpallet kampion me moshat U17 në Superligën e Kadetëve si dhe në grupin “B” të LRFP-s për moshat U17. Ndërsa, garë do të ketë sërish për moshat U13 dhe U15, që do të jenë pretendentë për të triumfuar në garat nacionale.






