Pasditja e së shtunës së 22 Korrikut ishte e rezervuar për duelin e skuadrave nga rangu i dytë i garave në futbollin e Kosovës, atë në mes 2 Korrikut si vendës dhe Suharekës si mysafire.
2 gola të shënuar, duele të shumta e rivalitet i madh sportive u pa sot në fushën e stadiumit “2 Korriku”, me të besuarit e Besim Ademit dhe Granit Begollit që në fund ia dhanë dorën njëri-tjetrit e u larguan nga dueli që siç u pa do të shërbejë shumë në vijimin e përgatitjeve para stinorit të ri të garave në Ligën e Parë.
Flamur Neziri, Riad Jashari, Abit Salihu, Agron Beqiri, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Ylli Prekopuca, Edon Zeqiri, Enes Duraku, Ardit Gashi, Gneilpekan M. Camara – ishin futbollistët që startuan në duelin kundër “therandasve”, me këta të fundit që triumfuan me një gol shumë të lehtë të Liridon Fetahajt pas një pakujdesie në mbrojtjen vendëse në fraksionin e parë dhe me një super-gol nga goditja e lirë e Durim Gashit në fraksionin e dytë të ndeshjes.
Ekipi “verdheblu”, që në ndeshjen e sotme u paraqit me fanelën mysafire, nesër do të pushojë, për t’u rikthyer të hënën, fillimisht me kontrollimet mjekësore në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive, e më pas gjatë pasdites me stërvitje në fushën e blertë.