Detaje lidhur me edicionin e ri në Ligën e Parë; shorti, orari i garave dhe detaje tjera

Ditën e djeshme, ashtu siç edhe mund të jeni njoftuar shkurtimisht në rrjete sociale, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për edicionin e ri garues në grupin “B” të Viva Fresh Ligës së Parë, me të njëjtin që do të filloj në datat 19/20 Gusht.

Shorti i hedhur në ambientet e “shtëpisë” së futbollit vendor i njoftoi zyrtarët e ekipeve lidhur me orarin e ndeshjeve, i cili do të vlejë për dy fazat e para të kampionatit, kurse për të tretën fazë, siç është vepruar në dy sezonet e kaluara, nga ana e zyrtarëve të FFK-së u theksua se sërish do të aplikohet i ashtuquajturi Sistem i Bergerit.

FC 2 Korriku, si ekip garues në rangun e dytë të garave në futbollin kosovar, mësoi se dy ndeshjet e para do t’i zhvilloi si vendës, përballë Ferizajt të rikthyer në Ligën e Parë, si dhe Flamurtarit, kundërshtarit lokal me të cilin u ndesh edhe në edicionin e kaluar.

Ndeshjen e parë si mysafir 2 Korriku e zhvillon kundër rivalit tjetër lokal Ramiz Sadikut, për t’u rikthyer më pas si vendës kundër Ulpianës. Tutje, në xhiron e pestë, “verdheblutë” do të udhëtojnë për në Shtime, atje ku do të ndeshen me Vjosën; më pas do të rikthehen në shtëpi për t’u përballur me Vllazninë e Pozheranit; do të qëndrojnë sërish në Prishtinë, dhe në stadiumin “Xhemail Ibishi” do të takohen me skuadrën e inkuadruar rishtazi në Ligën e Parë, që po ashtu ka ndryshuar edhe emrin, skuadrën e Prishtinës së Re; krejt për fund të fazës së parë, kryeqytetasit do të rikthehen të luajnë në shtëpi kundër Vushtrrisë dhe do ta mbyllin me ndeshje si mysafir kundër Kikës në Kamenicë.

Me t’u njoftuar me orarin e ndeshjeve për edicionin e ri garues, ekipet morën konfirmime nga ana e zyrtarëve të FFK-së lidhur me temën se a do të ketë ndryshime në systemin garues apo jo. FFK si institucioni më i lartë në futbollin tonë, theksoi se edicioni i ri nuk do të ketë asnjë ndryshim, dhe sistemi i garave do të jetë i njëjti me atë të dy edicioneve të kaluara.

Kësisoj, me të gjitha gjërat e qartësuara, nuk mbesin më “pikëpyetje” dhe fokusi kalon i tëri në garat kampionale që nisin pas tri javësh.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave