Ekipi kryeqytetas i 2 Korrikut nuk ka të ndalur në fazën përgatitore. “Verdheblutë” me sukses e kanë kaluar testin e radhës në “Përparim Thaçi” të Prizrenit, ku janë përballur me skuadrën nga Liga e Dytë që mbanë emrin e qytetit prizrenas.
Për ekipin nga kryeqendra, ky duel i fituar shënoi triumfin e tretë me radhë brenda një jave në ndeshjet para-sezonale, sukses ky i arritur me nga një gol të Gneilpekan M. Camaras, Ardit Gashit (goli i tretë në dy ndeshjet e fundit) dhe Edon Zeçirit (goli i parë me fanelën e 2 Korrikut).
Besim Ademi, kryetrajneri i ekipit të 2 Korrikut, në ndeshjen me ekipin nga Regjioni i Prizrenit riktheu në përbërjen startuese portierin Flamur Neziri, pas lëndimit që kishte pësuar në stërvitje dy javë më parë, si dhe mbrojtësin Agron Beqiri e sulmuesin Enes Duraku, të cilët munguan në përballjen e fundit miqësore për shkak se u vendos që të pushojnë, e që sot të tre kompletuan formacionin, që përfshiu këta futbollistë: Flamur Neziri, Riad Jashari, Agron Beqiri, Abit Salihu, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Arjol Bllaca, Edon Zeçiri, Gneilpekan M. Camara, Ardit Gashi, Enes Duraku.
Ekipi me ngjyrat “verdheblu” tani para vetes do t’i ketë edhe dy javë kohë për t’u përgatitur për duelin e parë zyrtar për këtë edicion, të cilin do ta zhvillojë kundër Ferizajt, por para të cilës ndeshje natyrshëm se do ta zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore, që me shumë gjasa do të luhet në stadiumin “2 Korriku”.






