Paraditen e datës 9 Gusht 2023, FC 2 Korriku në krye me Presidentin Rexhep Baholli, ka qenë për vizitë në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, ku edhe është pritur nga i pari i këtij institucioni, Agim Ademi.

Ekspedita e klubit “verdheblu”, e përbërë nga anëtarë të udhëheqësisë, trajnerë e futbollistë të klubit, patën mundësinë që nga afër të diskutojnë rreth sukseseve të arritura në edicionet e fundit me moshat e reja, por po ashtu u përmendën edhe punimet që po bëhen në stadiumin “2 Korriku” e përgatitjet për fillimin e garave në edicionin e ri, duke filluar prej ekipit senior e deri tek ekipet e kategorive të reja që garojnë në Regjionin e Prishtinës.
Për këtë takim, Presidenti Rexhep Baholli falënderoi Presidentin e FFK-së, Agim Ademin, për mikpritjen dhe mundësinë e mbajtjes së një takimi të këtij formati. Nga i pari i FFK-së, klubi kryeqytetas u urua për sukseset e arritura ndër vite, si me fitimin e titujve kampionë ashtu edhe me punën me të rinjtë, shumë prej të cilëve tash me krenari veshin fanelën “dardane”.

Presidenti Baholli theksoi se si përfaqësues i klubit ndihet shumë i kënaqur me përkrahjen nga FFK, e po ashtu përmendi se bashkëpunimi i tillë po e ndihmon futbollin vendor që të shënoj rritje si tek moshat e reja, ashtu edhe tek ekipet e të rriturve.






