“Bajram Aliu” në Skenderaj sot ka hapur dyert për duelin miqësor ndërmjet Drenicës e 2 Korrikut, të dyja ekipe që garojnë në rangun e dytë te futbollit kosovar.
Plot katër gola janë shënuar në këtë përballje miqësore, me 2 Korrikun që në listën e realizatorëve pa si golashënues Enes Durakun e Ardit Gashin, të dy të transferuar në afatin veror, e që kanë shkëlqyer në ndeshjet para-sezonale, duke e dërguar topin nga katër herë në fundin e rrjetës kundërshtare – shenjë e mirë kjo kur kanë mbetur vetëm 8 ditë deri në fillim e edicionit të ri, e sidomos kur kujtohet efikasiteti i dobët që ekipi pati në edicionin qe lam pas.
Me shumë gjasa ndeshja e sotme ishte e fundit për fazën përgatitore të vitit 2023 për skuadrën kryeqytetase, që pas një pushimi të shkurtër, sy e veshë do të jetë kah dueli i parë zyrtar përballë Ferizajt të rikthyer në Ligën e Parë.
Formacioni startues i ekipit të drejtuar nga Besim Ademi sot ishte kësisoj: Flamur Neziri, Riad Jashari, Agron Beqiri, Abit Salihu, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Edon Zeçiri, Ylli Prekopuca, Enes Duraku, Ardit Gashi, Gneilpekan M. Camara.






