Fitorja e radhës për 2 Korrikun vie në duelin kundër Ramiz Sadikut

Dy gola të pjesës së parë i kanë mjaftuar ekipit të 2 Korrikut për ta arritur fitoren e radhës në garat kampionale, kësaj radhe kundër Ramiz Sadikut, rivalit nga Prishtina.

Agron Beqiri me kokë në minutën 29’ dhe Ardit Gashi nga penalltia në minutën 45’+2’ kanë bërë që ekipi i drejtuar nga kryetrajneri Besim Ademi të fitojë tri pikët e radhës dhe të shkojë në shtatë sosh në total deri më tani.

Dy pjesë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra u zhvilluan sot në stadiumin e Ramiz Sadikut në kryeqytet. Një pjesë e parë ku më i mirë u tregua 2 Korriku dhe një pjesë e dytë ku më shumë tregoi Ramiz Sadiku, kjo natyrshëm si rrjedhojë e nevojës për ta ndjekur rezultatin, por në fund fitorja ishte më se e merituar për ekipin “verdheblu” që po kalon fillim fantastik të garave.

Pjesa e parë e ndeshjes nisi shumë zbehtë, me gjysmë-rastin e parë që erdhi 14 minuta pasi filloi ndeshja. Gjysm-rasti i parë i takoi ekipit vendës, që për pak sa nuk shënoi me kokë pas harkimit nga goditja nga këndi.

2 Korriku vazhdoi me ritëm jo shumë të lartë, mirëpo për fatin e tij të mirë erdhi goli; tollovinë e madhe në zonën kundërshtare e shfrytëzoi Agron Beqiri që shënoi me kokë nga afërsia në minutën 29′.

Tutje, 2 Korriku rrezikoi sërish – kësaj radhe me Shqiprim Kelmendin – goditja përfundoi për pak centrimetra jashtë kuadratit.

Kur të gjithë e menduan se fraksioni i parë i ndeshjes do të mbyllej me epërsi minimale të mysafirëve, të njëjtën gjë nuk e pati në kokë Enes Duraku, që po tregon formë të lartë e i cili me shpejtësinë e tij u fut në zonën kundërshtare, u pengua nga kapiteni Zeqiri dhe fitoi penallti, të cilën në fundin e rrjetës e dërgoi Ardit Gashi fuqishëm – pas këtij goli u mbyllë pjesa e parë.

Pjesëloja e radhës shkoi shumë më ndryshe. Ramiz Sadiku e nisi furishëm, teksa golin e kërkoi në minutat 49’, 52’, 58’, 65’ 70’ e 79, mirëpo atë e gjeti në vetëm një nga rastet, në atë të minutës 52’, kur goditja e devijuar e Rigon Llugiqit shkoi prapa shpinës së portierit Neziri, për të cilin duhet theksuar se pritja e bërë në minutën 70’ kishte vlerën e një goli të shënuar.

Krejt çka bëri në pjesën e dytë 2 Korriku ishte kërkimi i golit me anë të kundërzbritjeve, diçka që gati sa nuk u arritë me Bejtën në minutën 82’, por goditja e tij interesante përfundoi mbi portë. Deri në fund, krejt çka mund të përmendet është rasti i Riad Jasharit në minutat shtesë, që kaloi për mrekulli një kundërshtar, u pengua në zonë, por gjyqtari Krasniqi nuk vendosi për penallti.

Ndeshja pas 6 minutave shtesë u mbyll – 2 Korriku triumfoi me 2 golat e pjesës së parë.

Prononcimi i kryetrajnerit Besim Ademi

“Është fillimi më i mirë i mundshëm për ne. Para vetes kemi pushimin e kombëtareve dhe kjo do të na bëjë shumë mirë si për të pushuar por edhe në aspekte tjera. Ua uroj fitoren çunave si dhe besoj shumë se me këtë ritëm do të vazhdojmë edhe pas pushimit.””

Viva Fresh Liga e Parë- Xhiro III

Ramiz Sadiku – 2 Korriku 1:2 (0:2)

Golashënues: Rigon Llugiqi 52’; Agron Beqiri 29’, Ardit Gashi (pen.) 45’+2’

Gjyqtarët e ndeshjes: Kujtim Krasniqi, Andi Krasniqi, Valmir Beqa, Qëndrim Vata

Gjyqtarët në VAR: Mentor Ajeti (VAR), Bajram Kabashi (AVAR)

Delegati i FFK-së: Blerim Vilanci

Vëzhguesi i referimit: Besfort Kosumi

Formacioni startues i Ramiz Sadikut: Ridon Llugiqi, Bind Maxhuni, Adonis Zeqiri (Albin Dermaku), Taulant Haliti, Ron Raqi, Rigon Llugiqi, Adonis Pervetica (Erduan Ibrahimi), Dren Zeqiri, Etrit Halimi (Rion Rushiti), Eurent Krasniqi (Marin Reka), Andi Bikliqi (Ardi Arifi). Kryetrajner: Alban Dragusha.

Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Riad Jashari, Abit Salihu, Agron Beqiri, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Gneilepkan M. Camara, Edon Zeçiri (Redon Bejta), Enes Duraku (Ylli Prekopuca), Ardit Gashi, Shqiprim Kelmendi (Albert Stublla). Kryetrajner: Besim Ademi.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave