6 fitore e 1 humbje kanë bërë që 2 Korriku të gëzojë fillimin më të mbarë të viteve të fundit në elitën e futbollit kosovar për moshat nën 19-vjeç.
Pikët e fituara, golat e shënuar por mbi të gjitha sistemi i lojës dhe paraqitjet e futbollistëve të rinjë “verdheblu” kanë bërë që ekipi të fitojë besimin e duhur, gjë e shfaqur sidomos në dy ndeshjet e fundit, atë në udhëtim kundër Vushtrrisë dhe në duelin me nënkampionin në fuqi, Ballkanin. 6 gola të shënuar në këto 2 ndeshje kanë bërë që 2 Korriku ta fitoj epitetin e pretendentit por edhe të kryesuesit të kampionatit, duke mposhtur kundërshtarë të fortë që veçse e shtyjnë ekipin për të vazhduar me serinë e rezultateve pozitive.
Karakteristikë e ekipit që për kryetrajner ka Labinot Hazirin është fakti se ka treguar që di të rikthehet, gjë e dëshmuar sidomos nga humbja e xhiros IV në udhëtim te Ferizaj, që tash po dëshmon se ka qenë mësim i mirë për grupin, nga ku edhe skuadra është këndellur dhe ka korrur 3 fitore të njëpasnjëshme.
“Janë 7 xhiro që janë zhvilluar dhe ne kemi dhënë shumë deri tash; djemtë janë paraqitur siç është më së miri, ndonëse kemi pasur humbje të koncentrimit nëpër pjesë të ndeshjeve, por këtë kemi shkuar duke e përmirësuar dhe po vazhdojmë ta bëjmë. Rezultatet e deritanishme janë shumë të mira, të pritshme për ne kur e dimë se sa kemi punuar në fazën përgatitore. Për futbollistët nuk kam se çka të them shumë. Ata po e dëshmojnë veten më së miri në fushë – ashtu siç edhe duhet. Urojë që të vazhdojmë me këtë formë, të rritemi si ekip dhe këta djem të përgatiten për atë se çka do t’i pres në të ardhmen e tyre si futbollistë – këto janë synimet kryesore të vet klubit”, theksoi kryetrajneri Haziri, që drejtimin e moshave nën 19-vjeç të 2 Korrikut e ka marrë që nga Janari i vitit 2021.
Për nga statistikat, 2 Korriku deri tani ka tundur 20 herë rrjetat e kundërshtarëve, ka mbajtur portën tri herë të paprekur dhe në 5 prej ndeshjeve ka triumfuar me nga 3 e më shumë gola të shënuar, gjë që tregon shumë për rendimentin e ekipit në fazën ofanzive.
Ekipi kryeqytetas do të vazhdojë me gara, teksa në fundjavë do të jetë sërish në cilësinë e vendësit e do të pres Dritën, ekipin nga Gjilani që po ashtu po kalon formë të mirë në këtë rang garash.