Udhë për në Kamenicë; 2 Korriku gati për t’u ndeshur me Kikën/ prononcohet mbrojtësi Agron Beqiri

Pushimi i ndeshjeve të kombëtareve ka përfunduar dhe tani ekipet janë rikthyer me fokus të plotë tek ndeshjet kampionale, konkretisht tek ato të xhiros së nëntë, respektivisht të fundit të fazës së parë në Ligën e Parë.

2 Korriku rikthimin në kampionat do ta ketë përballë skuadrës së Kikës, me ndeshjen që do të zhvillohet në Kamenicë. Për këtë ndeshje, 2korriku.com ka zgjedhur që të marrë prononcim nga mbrojtësi Agron Beqiri i ekipit me ngjyrat “verdheblu”.

Ecuria e deritanishme e ekipit në kampionat

“Si grup kemi funksionuar mjaft mirë. Natyrshëm se ka vend për përmirësime, por këto gjëra arrihen me kohë. Veçse e kemi përfunduar fazën e parë të kampionatit, dhe jemi të kënaqur deri diku me ato se çka i kemi arritur, por fuqishëm besojmë se mund të marrim edhe më shumë nga ky kampionat.”

Barazim në kohën shtesë me Vushtrrinë si vendës

“Na kujtohet shumë mirë se sa shumë jemi gëzuar kur morëm pikë kundër Ferizajt në kohën shtesë; njësoj kemi pasur dhimbje edhe atë ditë kur na shënoi Vushtrria. Jo se ishim të pakënaqur me çfarë treguam në fushë, por vërtetë ishte jashtëzakonisht e rëndë t’i lëshosh ato dy pikë nga duartë.”

Ndeshja me Kikën – e fundit për fazën e parë kampionale

“Kamenica ka qenë gjithmonë vend i vështirë për të fituar. Duhet shumë sakrificë për të triumfuar atje. Këtë edicion Kika nuk po kalon formën më të mirë, por kjo nuk i bën ata ekip më të dobët apo nuk është indikator që ne do ta kemi më lehtë përballë tyre ose diçka e tillë. Kika e meriton respektin tonë, por ne në fushë do ta kërkojmë maksimumin.”

Golat e shënuar në momente deçizive për ekipin

“Golat e shënuar për mua si mbrojtës janë si ‘qershia mbi tortë’. Jam shumë i lumtur kur e di se sa shumë e kam ndihmuar ekipin me ata gola, jo vetëm këtë edicion por edhe në të kaluarin. Nuk është detyrë parësore për mua që të shënojë, por sa herë që do ta kem rastin do ta bëjë një gjë të tillë. Pse jo, në fund edhe ta fitoj ‘këpucën e artë’ (qesh futbollisti)”

Mesazhi i fundit para ndeshjes

“Jemi të freskët, na ka bërë mirë pushimi. Thjesht le ta tregojmë atë se çka kemi punuar, të mos dorëzohemi për asgjë dhe pse jo në fund të dalim me pikë në ‘xhep’ nga Kamenica.”

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave