AlbanianEnglish

,

2 Korriku e pret Vllazninë në xhiron e dymbëdhjetë; prononcohet mbrojtësi Jashari

Kampi “verdheblu” i 2 Korrikut ka mbyllur përgatitjet për duelin e radhës që do ta zhvillojë në kuadër të Viva Fresh Ligës së Parë, këtë të shtunë, kundër skuadrës pozheranase, Vllaznisë.

Ekipi kryeqytetas, që vie pas një përballjeje shumë të fortë të zhvilluar fundjavën e kaluar në Shtime kundër ekipit të Vjosës, këtë fundjavë do ta ketë mundësinë që si vendës ta kërkojë këndelljen dhe pse jo edhe t’i fitojë tri pikët e para si vendës.

Nga skuadra e drejtuar nga Besim Ademi, që sot i mbylli përgatitjet e fundit para përballjes së vështirë që është programuar të zhvillohet nesër, ka folur mbrojtësi i talentuar, njëkohësisht reprezentues i moshave nën 19-vjeç të Kosovës, Riad Jashari.

“Duke e ditur se tash vijmë pas një jave që na e dha një rezultat jo fort të kënaqshëm, nesër do të hyjmë me të gjitha forcat që të nxjerrim maksimumin. Duhet angazhim i madh sepse i kemi vetëm edhe tri ndeshje në kampionat deri në përfundim të stinorit vjeshtor dhe nuk duhet të humbim më, por duhet të shtrëngohemi që së paku deri në fund të këtij gjysmë-sezoni të marrim sa më shumë pikë, ashtu që në pushimin e gjatë të dimrit të shkojmë pak më të qetë”, tha mes tjerash për fillim mbrojtësi Jashari.

Mbrojtësi Jashari, që aktivizohet herë në njërin krah të mbrojtjes e herë në tjetrin, tha se ekipi ka reflektuar dhe e ka marrë veten pas humbjes së fundit. “Në Shtime besoj se kemi merituar më shumë. Them më shumë sepse kemi arritur që të rikthehemi e ta barazojmë rezultatin dy herë. Ndeshja tash ka shkuar dhe këto që po i them vlen të përmenden vetëm për ta vlerësuar lartë angazhimin e ekipit, përndryshe fokusi ynë tash është i tëri në ndeshjen që e zhvillojmë nesër, kur edhe do ta presim një kundërshtar goxha të fortë, ndaj të cilit do të na duhet maksimumi ynë që të fitojmë”, potencoi futbollisti perspektiv.

Tutje, duhet përmendur se 2 Korriku e Vllaznia ishin ndeshur në Shtator të këtij viti në kuadër të fazës së parë, në një ndeshje të zhvilluar në Pozheran, në të cilën “verdheblutë” u mposhtën me rezultat 3:1. Kur kujton këtë ndeshje, Riad Jashari thotë se: “Ka qenë ndeshje shumë e vështirë. E kujtoj se jemi ndëshkuar shpejtë dhe më pas ndeshja ka shkuar ashtu që ne nuk kemi arritur ta rikthejmë rezultatin. Ajo ndeshje na e ka bërë të ditur se çfarë ekipi ka Vllaznia dhe natyrisht që kjo ndeshja e dytë do të jetë krejt ndryshe, madje mendoj se do të jetë edhe më e fortë se ajo e para.”

Me skuadrën kryeqytetase në fund të tabelës, mbrojtësi Jashari shpreson se ekipi “verdheblu” do të dalë shpejt nga kjo situatë. “Është shumë e vështirë ta shohësh veten në pozitën e fundit. Jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë edhe shpresoj që ky mund i yni ka për të na u shpërblyer dhe ka për të na ndihmuar që shpejtë të “ikim” nga kjo pozitë që është vështirë e përballueshme”, përfundoi mbrojtësi i moshës 18-vjeçare për 2korriku.com.

Dueli 2 Korriku – Vllaznia zhvillohet me fillim në ora 13:00, me skuadrën e 2 Korrikut që do ta shoh veten si vendëse.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave