I riu 18-vjeçar, Riad Jashari, që aktivizohet si futbollist senior në Klubin e Futbollit “2 Korriku”, ka pasur mundësinë që në dy javët e fundit të testohet tek klubi gjigant kroat, HNK Hajduk Split, klub me të cilin vite më parë, klubi “verdheblu” nga kryeqyteti ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi.
Futbollisti nga Kosova, që cilësohet si futbollist i së ardhmes me potencial të madh, arriti që për dy javë të i tregoi cilësitë e tij në sytë e trajnerëve kroatë. Jashari potencoi se eksperienca e tij në Kroaci do të mbetet gjithmonë në mendjen e tij, si një eksperiencë jashtëzakonisht e vlefshme. Mes tjerash, Riadi tregoi se këto dy javë i ndihmuan atij që ta shoh nivelin e tij si futbollist në krahasim me futbollistët me të cilët ai ka punuar në seancat stërvitore tek klubi kroat si dhe u shpreh se kjo aventurë do t’i ndihmoj si motiv shtesë që ai vetëm të shkoj duke e rritur intensitetin e punës e të vazhdoj të ketë ambicie të mëdha në karrierë.
E këto mundësi që po iu jepen futbollistëve “verdheblu”, pa fije dyshimi janë sinjale pozitive për klubin nga Arbëria, duke e parë se sa shumë po vlerësohet puna që po bëhet me të rinjtë e shkollës së futbollit që 2 Korriku si klub e posedon.






