Edicioni 2022/23 nuk ka nisur në mënyrën më të mirë për skuadrën nga kryeqyteti, 2 Korrikun. Një barazim e dy humbje është bilanci që “verdheblutë” e kanë në tri xhirot e para që janë zhvilluar deri tani në Viva Fresh Ligën e Parë të futbollit në Kosovë.
Duke marrë për bazë ecurinë e ndeshjeve të para, kryeqytetasit e dinë se kjo ecuri duhet të përfundoj sa më parë, e skuadra duhet të nisë me arkëtimin e pikëve. Për këtë, nga 2korriku.com është intervistuar edhe futbollisti i ri i skuadrës nga Arbëria, Alpi Shahini.
Mbrojtësi që debutimin e ka bërë po në këtë edicion e që është paraqitur në të tri ndeshjet e para të këtij kampionati, ka theksuar se nuk ndihet aspak mirë me rezultatet e deritanishme, por që është shprehur se në kampin “verdheblu” po punohet maksimalisht që këto rezultate të ndalen me kaq dhe të nis një ecuri pozitive që natyrisht se do t’i bënte mirë ekipit.
“S’më vjen aspak mirë që edicionin debutues si senior e kam nisur me këto rezultate, mirëpo bashkë me shokët e ekipit po punojmë që t’i japim fund kësaj ecurie. Po e shohim se ka ekipe të mira, mirëpo lirisht mund të them se asnjë ndeshje nuk e kemi humbur sepse kemi pasur dallime të mëdha në cilësi me skuadrat kundërshtare, mirëpo faktor kryesor ka qenë pranimi i disa golave që me thënë të drejtën kanë qenë shumë lehtë të evitueshëm”, është shprehur Shahini, i cili shkollës së 2 Korrikut i është bashkuar që nga viti 2019.
E në lidhje me skuadrën që do ta ketë përballë të shtunën, Alpi potencoi: “Nuk është se di shumë rreth tyre si skuadër, por nuk më takon që të them diçka tjetër përveç asaj që i respektoj si kundërshtarë, mirëpo ndaj të cilëve do të hyj për fitore.”
Mbrojtësi ferizajas ka vazhduar tutje, teksa ka thënë: “Jam thuajse më i riu në skuadër. Secilën ditë mundohem të mësoj gjëra të reja, sepse për fat të mirë ka edhe futbollistë që kanë përvojë të madhe, dhe pikërisht nga ata po mësoj e dua të mësoj edhe më tej gjëra të reja, të cilat normalisht se pastaj në të ardhmen time si futbollist do të më ndihmojnë.”
Për 17-vjeçarin nga qyteti i Ferizajt, debutimi ka qenë interesant, duke marrë parasysh edhe moshën e tij të re, e pikërisht për këtë temë, në fund të prononcimit, Shahini tha: “Jo vetëm unë, por secili i ri besoj se e ka këtë qëllim, të kaloj në ekipin senior, të marr minuta dhe pastaj të shoh përpara në karrierën e tij. Unë për vete jam shumë me fat që jam në një klub siç është 2 Korriku, klub në të cilin edhe në ditët e para kur kam ardhur e kam parë veten si në shtëpinë time. E tash, që më është dhënë mundësia që të paraqitem me seniorët, jam edhe më i lumtur për faktin që aftësitë e mia me të vërtetë po vlerësohen lartë dhe për këtë unë duhet të vazhdoj të angazhohem edhe më shumë, sepse ky është veç fillimi dhe nuk bën asesi që të ndalem me kaq.”
Theksojmë edhe një herë se, 2 Korriku, që tani për tani ka vetëm një pikë në renditjen tabelare të grupit “B” të Viva Fresh Ligës së Parë, këtë fundjavë do të jetë nikoqir i ekipit hogoshtas, Kikës, skuadër kjo e cila i ka arkëtuar plot pesë pikë në këtë edicion.






