Fundjava rikthen ethet e Viva Fresh Ligës së Parë, kësaj radhe me përballjet e xhiros së gjashtëmbëdhjetë, në kuadër të së cilës është i paraparë të zhvillohet dueli mes rivalëve lokalë, Flamurtarit e 2 Korrikut.
“Kuqezinjtë” dhe “verdheblutë” do t’i masin forcat në duelin që do të zhvillohet në “Xhemail Ibishi”, të dielën e 26 Shkurtit, me fillim në ora 13:00.
Për ndeshjen e radhës nga kampi “verdheblu”, që përgatitjet për ndeshjen kampionale të radhës i ka mbyllur paraditen e sotme, mori fjalën mbrojtësi Riad Jashari. I pyetur se si ndihet para ndeshjes dhe se çka pret nga ajo, Jashari pa hezitim u shpreh optimist duke thënë: “Jemi të gatshëm t’i bëjmë ballë secilit kundërshtar. Nesër është ndeshje e vështirë, por ne jemi gati. Na ka ndihmuar shumë paraqitja që e bëmë në ndeshjen me Fushë Kosovën, sidomos loja që treguam në pjesën e dytë. Në ‘Xhemail Ibishi’ shkojmë për ta bërë një ndeshje të mirë dhe për të marr rezultat pozitiv. E dimë se tash e tutje çdo pikë është e madhe.”
2 Korriku, që xhiron e pesëmbëdhjetë e mbylli me trembëdhjetë pikë në renditjen tabelare, shkon i kompletuar në “Xhemail Ibishi”, madje edhe me mesfushorin Burim Qorri, i cili në takimin e fundit pësoi një lëndim që për fat të mirë nuk doli të jetë diçka serioz.
Për skuadrën e kompletuar dhe afrimet e afatit kalimtar të Janarit, mes tjerash mbrojtësi “verdheblu” shtoi: “Është mirë kur shkon i kompletuar në ndeshje, sepse e di se mund të mbështetesh tek të gjithë shokët. Lirisht mund të them se me ndeshjen e parë kemi treguar se tash do të jemi shumë më seriozë si ekip, e kjo normalisht se është edhe si rrjedhojë e lojtarëve që na janë bashkuar në muajtë e fundit.”
Në vijim, Jashari foli edhe për të ardhmen e këtij stinori, por edhe për atë personale. “I kemi edhe tri ndeshje kampionale të fazës së dytë. Sa më shumë që do të fitojmë nga to, do të bëj që të jemi më të qetë në fazën e tretë të kampionatit. Sa i përket të ardhmes personale, unë po ndihem shumë mirë në klub; po bëhen dy edicione që unë marrë minuta rregullisht dhe kjo natyrshëm se ka ndikuar e po ndikon për mirë tek unë. Për momentin, siç e thashë, po ndihem shumë mirë, por sigurisht që shpresoj se këto paraqitje të mia do të vërehen edhe më shumë dhe pse jo viti tjetër të më gjej duke e bërë hapin e madh që ka për ëndërr çdo futbollist”, tha dhe e përmbylli fjalën e tij mbrojtësi i rritur e formuar si futbollist në Shkollën e Futbollit “2 Korriku”.






