“Profesionalizmi” i Jasarevic/ 2 Korrikut nuk i mjafton angazhimi, mposhtet nga një penallti absurde

“Futbolli luhet mes futbollistëve, por angazhimimin e tyre mund ta hedh poshtë edhe një njeri i vetëm- gjyqtari”, nuk mund të ketë përkufizim tjetër që do të mund të shpjegonte më mirë atë që sot vërtetë ndodhi në “Xhemail Ibishi” të kryeqytetit, në duelin e rivalëve lokalë, Flamurtarit e 2 Korrikut.

Skuadra e Flamurtarit pa presion e pa objektiv e ajo e 2 Korrikut me mision të domosdoshëm pikët e plota, sot hynë në fushën e lojës për të treguar lojë burrërore, pa e ditur se në fund epiteti i akterit kryesor nuk do të i takonte asnjërit prej futbollistëve, por vet gjyqtarit kryesor, Belmin Jasarevic, të cilit sot mesa duket nuk i mjaftoi epiteti i gjyqtarit, por vendosi ta fitojë edhe një “çmim” tjetër dhe këtë e arriti duke akorduar një nga penalltitë më absurde, jo vetëm të këtij edicioni, por ndoshta të një kohe të gjatë në futbollin kosovar.

Angazhimi i jashtëzakonshëm i futbollistëve “verdheblu” sot u hodh poshtë, jo për meritë të kundërshtarit, por për “tentimin për t’u treguar profesionist” të gjyqtarit kryesor të ndeshjes, i cili për të treguar se sa shumë është “i koncentruar” në ndeshje, harroi se si funksion loja “fair-play” e për më tepër, në momentin e akordimit të penalltisë iu deshën disa sekonda për t’u ndalur e për ta menduar vendimin, të cilin si penallti, nga të gjithë të pranishmit, duket se vetëm ai e konsideroi të tillë.

Por, le ta lëmë anash për pak “më të mirin e ndeshjes” dhe të merremi me atë që vërtertë ka rëndësi në futboll– lojën brenda vijave të fushës.

Ndonëse jo shumë e bukur për sy, Flamurtari – 2 Korriku dha një pasqyrë të angazhimit të pashoq të futbollistëve, të cilët dhanë nga vetja “atomin” e fundit për pikët e plota, të cilat në fund shkuan në “xhepat” e vendësve.

“Kuqezinjtë” e Kashamit dolën të parët që shfaqën rrezik në duelin e sotëm; luhej vetëm minuta katërt kur mbrojtësi i majtë Qëndrim Ismajli për pak sa nuk shënoi pas goditjes së fortë që shkoi disa centimetra jashtë portës.

Katër minuta tjerë u desh që të kalojnë për të parë rrezikun e radhës. Ishte sërish Flamurtari, por kësaj radhe fillimisht tentoi Mustafa që u bllokua e më pas sërish Ismajli që goditjen e tij e dërgoi jashtë.

Pa kaluar dy minuta të plotë, në “skenë” dolën “verdheblutë”; përmes Camara, të besuarit e Besim Ademit kërkuan golin, por goditja e tij la shumë për të dëshiruar dhe si e tillë nuk paraqiti rrezik të madh.

Shumë më serioze do të ishte situata, nëse në minutën e trembëdhjetë, daljen e shpejtë të Jasharit e pasimin e tij fantastik për tek Camara, ky i fundit do ta shfrytëzonte e nuk do të priste që të bllokohej nga Rogova i vendësve, që dërgoi topin në rivënie këndore.

Pesëmbëdhjetë minutat e radhës ishin më pak interesantë. U luajtë ndeshje me ritëm të ulët deri në minutën e njëzet e nëntë, kur Moraes tentoi me gjuajtje të fuqishme nga gjuajtja e lirë, por topi shkoi në duart e Flamur Nezirit, njërit prej më të mirëve të ndeshjes së sotme.

Neziri e tregoi veten sërish, vetëm tre minuta më vonë, kur ndali dy goditje të njëpasnjëshme, për ta mbajtur rezultatin e barabartë dhe me të cilin u shkua në pushimin mes pjesëve.

Pjesa e dytë nisi më zbehtë; 2 Korriku e pati mundësinë e parë; Hallie për pak sa nuk shfrytëzoi mosmarrëvveshjen e portierit Behluli e mbrojtësit Ismajli, të cilët brenda zonës së tyre gati sa nuk ia falën topin sulmuesit mysafir, i cili përkundër përpjekjeve, nuk arriti që ta fitoi topin i cili në fund përfundoi në duart e Behlulit.

Rasti i radhës ishte kur kapiteni Oruqi mori përsipër një goditje nga më shumë se gjashtëmbëdhjetë metra, por topi shkoi shumë afër kornizës së portës së “kuqezinjve”.

Pas rastit të Oruqit, në zonën e vendësve ndodhi një rast mjaft diskutabil; Gashijan i 2 Korrikut u pengnua, por gjyqtari Jasarevic heshti duke e lënë lojën që të vazhdojë.

“Verdheblutë” nuk u ndalën; madje lehtë edhe patën mundësinë që të kalojnë në epërsi, por mungesa e koncentrimit nga ana e Gashijanit dhe mos-tentimi i tij për të goditur a pasuar në minutën e shtatëdhjetë e shtatë ia mohoi skuadrës mysafire mundësinë e artë për kalim në epërsi.

E kur nuk shënon, natyrshëm se gjasat janë që do të pësosh, por gjasat janë që të pësosh nga kundërshtari dhe jo pala e tretë– gjyqtarët.

Kalimi i minutës së nëntëdhjetë dha shenjë për fillimin e “spektaklit”. Jasarevic i mori gjërat “në kontroll”. Fillimisht sinjalizoi për katër minuta shtesë. Gjatë kësaj kohe, vendësit thuajse të dorëzuar, tentuan me disa goditje, por tentimet e tyre i ndali portieri Neziri.

Pas të gjitha këtyre, luhej minuta e nëntëdhjetë e katërt, kur në fushë u futën doktorët e klubit “verdheblu” dhe ata të atij “kuqezi”, për t’i ndihmuar Beqirin e 2 Korrikut dhe Brajshorin e Flamurtarit. Pasi që të dy futbollistët u ngritën dhe loja ishte gati për të vazhduar, Jasarevic lëshoi topin në tokë në të mirë të mysafirëve, topi shkoi tek portieri e ky i fundit e dërgoi atë në rivënie anësore. Me arsyetimin se në fushë janë futur mjekët, Jasarevic vendosi që ta vazhdojë ndeshjen. Vendësit, duke e parë mundësinë, tentuan që të rrezikojnë dhe arritën që ta fitojnë një rivënie këndore. Nga ajo rivënie Flamurtari fitoi penallti, me pretekstin se Salihu i 2 Korrikut e preku topin me dorë, vendim ky i marrë pikërisht nga gjyqtari kryesor, të cilit me sa u pa iu “deshën” disa sekonda për të menduar deri në marrjen e atij vendimi, pas të cilit pasuan protestat e arsyeshmë të “verdhebluve”, të cilët me ngulm kërkuan të paktën një përgjigje nga gjyqtari, i cili me vendimin e tij “të jashtëzakonshëm e të arsyeshëm” qëndroi me kokën lartë e priti qetësimin e situatës për të vazhduar më pas me ekzekutimin e penalltisë, të cilën e shënoi ish-i i 2 Korrikut, Zoungrana (97’), dhe njëkohësisht i dha fitoren ekipit të tij.

Kësisoj, 2 Korriku sot nga stadiumi në kryeqytet nuk u mposhtë as nga gabimet e veta e as nga meritat e kundërshtarit, por nga vendimet e një gjyqtari, që pa pikën e nevojës, mori atë që deshi, qendrën e vëmendjes.

Sido që të jetë, për këtë rast me gjyqtarin Jasarevic, FC 2 Korriku bën me dije se do të ndërmarrë hapat e mëtejmë, për shkak se gjyqtarë të tillë që duan ta marrin “mbi supe” fatin e futbollit në Kosoë, nuk kanë vend në sportin e bukur të futbollit.

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Nëntëmbëdhjetë

Flamurtari – 2 Korriku [1:0] (0:0 pas pjesës së parë)

Golashënues: Abdoul Razack Bachare Zoungrana (90’+7’ pen.)

Gjyqtarët: Belmin Jasarevic, Fatmir Abrashi, Imran Kabashi

Delegat i ndeshjes: Naser Bunjaku

Vëzhgues i gjyqtarëve: Afrim Morina

Formacioni startues i Flamurtarit: L. Behluli, B. F. Moraes, A. Shaljani, A. Makolli, Q. Ismajli, R. Gashi, A. Mustafa, Rr. Rogova (E. Brajshori 83′), L. Islami, N. Memaj (A. Zeqiri 66′), A. R. B. Zoungrana. Kryetrajner: Ndriqim Kashina.

Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, A. Salihu, A. Beqiri, R. Jashari (A. Shahini 46′), A. Oruqi /kap./ (I. Lebbie 78′), B. Qorri, Y. Prekopuca (A. Bllaca 55′), F. Bajrami (R. Bejta 88′), I. Hallie, G. M. Camara (E. Gashijan 55′). Kryetrajner: Besim Ademi.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave