Nuk arrihet këndellja/ 2 Korriku nuk rimerr veten as në Pozheran

S’ka këndellje as pas xhiros XXII për skuadrën e 2 Korrikut në Viva Fresh Ligën e Parë. “Verdheblutë” nga kryeqyteti nuk e kanë gjetur rrugën për t’u kthyer tek fitimi i pikëve as në ndeshjen në udhëtim kundër Vllaznisë së Pozheranit.

Ndonëse u panë shkëndija përmirësimi në paraqitje për dallim nga ndeshjet e kaluara, futbollistët e 2 Korrikut sërish nuk arritën që t’iu bëjnë ballë kundërshtarëve, duke pësuar kështu humbjen e katërt me radhë në kampionat, e cila humbje rezultoi me zbritje për një vend më poshtë në renditjen tabelare, në vendin e nëntë me pikë të barabarta me Vllazninë.

Tani le të shkojmë me raportin e ndeshjes; Pozherani sot ishte i emocionuar për ndeshjen kampionale të radhës për skuadrën e tyre – kjo të paktën u pa nga numri i madh i tifozëve të pranishëm të cilët sado pak ndihmuan skuadrën e tyre në arritjen e qëllimit – fitoren.

Para shikuesve të saj, Vllaznia vërtetë sot i mori pikat, mirëpo për nga ajo që u tregua në ndeshje, skuadrat ishin njësoj për sa i përket niveleve, duke treugar lojë të zbehtë, me shumë pak raste e me intensitet të ulët.

Vendësit sot fitoren e arritën me golin e shënuar në pjesën e parë; sulmuesi Gjini gjeti veten mjaft mirë në zonën e portierit dhe realizoi për 1:0 (12’), pas topit që i erdhi nga duart e portierit Neziri, i cili së pari priti goditjen e fortë të njërit nga mesfushorët vendës.

Goli i skuadrës së udhëhequr nga trajneri Erdin Hashani në fakt ishte i vetmi që vlen të përmendet nga pjesa e parë, me pjesën tjetër të këtij fraksioni të lojës që përveç se la shumë për të dëshiruar, edhe irritoi futbollistët, sidomos ata mysafirë, të cilëve iu desh të përballeshin me zhagitjet e hershme që filluan nga futbollistët e ekipit nikoqir.

Fraksioni i dytë i lojës ishte diçka më i mirë, kjo natyrshëm edhe si rrjedhojë e ndryshimeve që ndodhën në përbërjet e skuadrave, sidomos në atë të 2 Korrikut, tek e cila u inkuadruan Gashijan e Avdiu që i dhanë ritëm ndeshjes.

Në fakt, ishte pikërisht Gashijan ai i cili në minutën e 53’të u ndalë nga futbollisti i Vllaznisë si lojtari i fundit, mirëpo për çudi, gjyqtari Egzon Dakaj vendosi që mbrojtësin Onaka ta ndëshkoj vetëm me kartonin e verdhë, vendim ky që u kontestua shumë sidomos nga banka rezervë e skuadrës mysafire, kjo duke e ditur se ndërhyrjet si futbollist i fundit zakonisht ndëshkohen me kartonin e kuq, respektivisht përjashtimin nga loja.

Pas ndërhyrjes në Gashijanin, për 2 Korrikun u fitua goditje e lirë, nga e cila tentoi Prekopuca (55’), por topi shkoi në duart e portierit nikoqir Syar Halabaku.

Ndeshja sa shkonte drejt fundit e emocionet sa rriteshin; ekipi i Hashanit kërkonte mbrojtjen e rezultatit e ai i Ademit barazimin e tij. Por, përkundër që tentimet e dominimi ishin në anën e “verdhebluve” nga kryeqendra, rastin më të mirë për golin e dytë e pati Vllaznia, e cila goditi shtyllën në minutën e 87’të, rast pas të cilit pasoi edhe rasti më i mirë në ndeshje për 2 Korrikun, në të cilin Avdiu për mrekulli manovroi e u gjet mirë para portës, por goditja e tij jo shumë e fortë përfundoi shumë pranë “shtëpisë” së portierit vendës.

Me këto raste të fundit, ndeshja u mbyll. Pikët mbetën në Pozheran dhe i mundësuan Vllaznisë që në renditje tabelare të ngrihet e të pozicionohet si e teta me 17 pikë.

Vllaznia – 2 Korriku [1:0] (1:0 pas pjesës së parë)

Golashënues: Jurgen Gjini (15’)

Gjyqtarët: Egzon Dakaj, Getuar Qelaj, Lirak Iberdemaj

Delegat i ndeshjes: Naser Bunjaku

Vëzhgues i gjyqtarëve: Zymer Berisha

Formacioni startues i Vllaznisë: S. Halabaku, E. Avdiu, A. Redjepi, T. Ajeti, H. A. Onaka, A. Ibrahimi (A. Halabaku 70’), B. Maliqi (F. Osmani 48’), E. Jakupi /kap./, Z. Mustafa, D. Tette, J. Gjini (F. Leka 90’+). Kryetrajner: Erdin Hashani.

Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, A. Salihu. R. Arifi (R. Bejta 87’), A. Salihu, R. Jashari, A. Oruqi /kap./, B. Qorri (G. Latifi 82’), Y. Prekopuca (M. Avdiu 70’), G. N. Camara (E. Gashijan 46’), A. Bllaca, F. Bajrami (I. Lebbie 87’). Kryetrajner: Besim Ademi.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave