‘Verdhebluve’ s’iu mjafton këmbëngulja dhe paraqitja e mirë/ Arbëria e 2 Korriku ndajnë pikët

Janë zhvilluar plot 23 xhiro deri më tani në rangun e dytë të garave në futbollin e Kosovës, mirëpo ndeshje me përfundim dramatik si ai i ditës së sotme në mes të Arbërisë e 2 Korrikut vështirë të ketë pasur kohëve të fundit, të paktën jo në ndeshjet e “verdhebluve”.

Dy ekipet, me nga 17 pikë secila, njëra me ngjyra “kuqezi” e tjetra me “verdheblu”, sot i dhanë shikuesve të pranishëm në stadiumin në Lipjan, emocione të panumërta, por nuk arritën që ta përmbushin qëllimin – të shënojnë gol. Në fakt, ekipet u orvatën shumë në kërkim të të çmuarit gol, por performanca fantastike e Flamur Nezirit në njërën anë dhe shtylla pingule e fati i madh i Arbërisë në anën tjetër, bën që dueli të mbarojë ashtu siç nisi, baraz pa gola.

2 Korriku, që veten e sheh në plot shtatë ndeshje radhazi pa fitore, duket sikur e ka “personale” me portën kundërshtare. Shumë raste vetëm në ndeshjen e sotme, janë treguesit më të mirë se sa shumë po vuan ekipi “verdheblu” në repartin sulmues, aty ku shifrat e këtij edicioni vërtetë lënë shumë për të dëshiruar – vetëm 22 gola të shënuar në 23 ndeshje.

Ekipi i drejtuar nga Besim Ademi sot lehtë ka mundur që “Sami Kelmendi”-n ta lëshoj me një tre-pikësh të madh, që do të jepte shtysën e madhe në luftën për mbijetesë, mirëpo mungesa e fatit në rastet e Milot Hysenit e goli i anuluar i Riad Jasharit e mohuan një arritje të tillë për skuadrën nga kryeqyteti, të cilës tashmë i vështirësohen punët në maksimum për arritjen e qëllimit sezonal, me vazhdimin e garave që do t’i sjellë tri super-përballje në harkun kohor prej tri javësh, ndeshje këto që do të jenë kundër tri skuadrave kryesuese të renditjes tabelare: Fushë Kosovës, Ulpianës e Vushtrrisë.

Nga ndeshja e sotme, pa u rrezikuar nuk kaloi as porta e Nezirit, të cilit iu desh një supër intervenim disa çaste pas startit të fraksionit të dytë, për ta dëbuar jashtë topin e goditur me kokë nga njërit prej futbollistëve vendës, pa përmendur këtu edhe rastet e mëparshme, që kryesisht ishin goditje nga Hamiti i Arbërisë.

Kësisoj, nga takimi nuk arriti asnjëra skuadër që t’i marrë tri pikë, duke lënë kështu gjithçka për t’u luajtur e për t’u përcaktuar në xhirot e radhës, të cilat vazhdojnë që nga e shtuna e 6 Majit, në të cilën 2 Korriku e pret Fushë Kosovën në shtëpi e Arbëria shkon si mysafire tek ekipi i Ramiz Sadikut.

Arbëria – 2 Korriku [0:0]

Gjyqtarët: Ilir Mehmeti, Edmond Zeqiri, Kastriot Peci

Delegat i ndeshjes: Burim Vrajolli

Vëzhgues i gjyqtarëve: Besfort Kasumi

Formacioni startues i Arbërisë: B. Pireva, D. Rashiti, D. Sekiraqa, A. Gerbeshi, A. Uka /kap., A. Berisha, A. Hamiti, M. Ajeti (R. Bajrami 56’), A. Bajrami (F. Molliqaj 70’), A. Bikliqi (Sh. Fazliu 84’), A. Jashari. Kryetrajner: Besart Cecelia.

Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, A. Salihu (G. M. Camara 70’), A. Salihu (R. Arifi 90’+), A. Beqiri, A. Shahini, M. Hyseni, A. Oruqi /kap./, B. Qorri, R. Jashari, M. Avdiu (I. Hallie 90’+), R. Bejta (F. Bajrami 46’). Kryetrajner: Besim Ademi.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave