Rëndësia e duelit të xhiros XXVI në grupin “B” të Viva Fresh Ligës së Parë në mes të skuadrës “lipjanase” të KF Ulpiana dhe asaj “kryeqytetase” të KF 2 Korriku, ka bërë që Komisioni për Delegimin e gjyqtarëve pranë FFK-së të delegojë gjyqtarë nga Superliga për ta drejtuar këtë takim, e madje e kanë deleguar edhe gjyqtarin e katërt, i cili zakonisht nuk është i pranishëm në ndeshjet e rangut të dytë të garave në futbollin e Kosovës.
Ilir Mehmeti nga Obiliqi, Drilon Rexhepi e Altin Zhegrova nga Prishtina dhe Ilaz Ajeti nga Gjilani do të jenë gjyqtarët të cilët do të ndajnë drejtësinë në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit për skuadrën “bardhekaltër” e atë “verdheblu”.
Teksa jemi tek gjyqtarët, për gjyqtarin kryesor Mehmeti kjo nuk do të jetë hera e parë që do ta gjykojë 2 Korrikun në këtë edicion, sepse po i njëjti ndau drejtësinë në ndeshjen e xhiros XXIV, Arbëria – 2 Korriku, e cila përfundoi pa gola të shënuar.
Për fund, përmendim se listën e zyrtarëve për duelin që do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit e përmbyllin delegati i ndeshjes, Agim Keka, si dhe vëzhguesi i gjyqtarëve, Shaip Grainca.






