“Sundimi” i kadetëve të 2 Korrikut në futbollin kosovar në edicionin 2022/23

27 Maji i 2023-tës ka shënuar fundin zyrtar të garave kampionale në Superligën e Kadetëve që organizohet nga Federata e Futbollit të Kosovës si dhe në Ligën “B” të moshave U17 në kuadër të garave që organizohen nga Regjioni i Prishtinës.

Shkolla e Futbollit “2 Korriku” nuk ka dëshpëruar as këtë edicion, e madje ka arritur që me dy grupet e saj, atë në Superligë dhe atë në Regjion, të shpallet kampion e të fitojë dy trofe të çmuar, që natyrshëm se erdhën pas garës së fortë të zhvilluar brenda fushave të blerta.

Ekipi “verdheblu” në Superligë pati ecuri fantastike, shënoi 77 gola e pranoi vetëm 25 sosh; triumfoi në 21 ndeshje, barazoi në 6 prej tyre dhe i humbi 3 sosh. Të besuarit e trajnerit Mustafë Pronaj treguan konsistencë përgjatë të gjithë edicionit dhe në fund u shpërblyen me titullin e më të mirëve të këtij edicioni, që është i gjashti me radhë në nivel të Superligës e i shtati me radhë nëse përfshijmë edhe trofeun e fituar në “Play-Off”-in Nacional nga gjeneratat 2000/01, asokohe kur ishte vetëm edicioni i parë i Superligës U17 dhe kur 2 Korriku nuk ishte pjesë e saj si rang, sepse ai edicion ishte zhvilluar me skuadrat, ekipet senioret të të cilave ishin pjesë e Superligës në kategorinë seniore.

Në anën tjetër, sukses të madh arritën edhe futbollistët e drejtuar nga Egzon Fetahu. Djemtë “verdheblu” që garat i zhvilluan në Ligën “B” të LRFP-së treguan po ashtu një ecuri të bukur e shumë interesante, duke arritur në total shënimin e 93 golave dhe fitimin e 23 ndeshjeve, e duke u mposhtur vetëm 3 herë dhe duke pësuar 30 gola.

Me këtë titull kampioni, 2 Korriku ka siguruar kalimin në Ligën “A” të LRFP-së, ku ndonëse do të jetë në garë për të arritur sërish titull kampioni, do ta ketë të pamundur kalimin dhe pjesëmarrjen në “Play-Off”, kjo për shkak se 2 Korriku veçse ka një skuadër në këtë rang garash.

Vlen të përmendet se gisht në këto suksese pa dyshim që kanë vet trajnerët, treshen e të cilëve e përmbush trajneri i ardhur nga akademia turke Beşiktaş J.K., Gökhan Yusufoğlu, i cili dha kontribut të madh në përmbushjen e objektivave të këtij edicioni për këto mosha dhe jo vetëm.

Nga këto dy grupe kampionësh, trajnerët e lartpërmendur do të ndërtojnë grupin përfundimtar i cili do të jetë pjesë e “International Football Tournament”, ku përballë do të kenë ekipe nga Evropa dhe vendi.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave